VV-ja kërkon futjen e Telekomit si çështje urgjente në seancën e sotme

13 korrik 2020 | 15:21

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që sot të diskutohet edhe për Telekomin e Kosovës.

Përmes një njoftimi nga VV-ja në “Facebook”, ku është prezantuar edhe kërkesa që është shtruar në Kuvend, Nagavci kërkoi që diskutimi për ndërmarrjen publike të shtohet si çështje urgjente në rendin e ditës të seancës plenare, pasi gjykata ka lejuar përmbarimin e një vendimi të arbitrazhit në favor të kompanisë Dardafon.net, e njohur si Z-Mobile.

“Përmbarimi i vendimit rrezikon mbarëvajtjen e Telekomit, duke cenuar njëherësh sigurinë shtetërore, interesin publik dhe punëtorët e ndërmarrjes. Vendimi i arbitrazhit është pasojë e një kontrate skajshmërisht të pavolitshme që drejtuesit e papërgjegjshëm të Telekomit kanë lidhur me Z-Mobilen mbi 10 vjet më parë. Kontrata i ka shkaktuar dëme të rënda ndërmarrjes dhe punëtorëve ndër vite”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Kurse, sot gjatë ditës, për këtë çështje reagoi edhe Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për përmbarim/realizim të borxhit mbi 24 milionë eurosh ndaj kompanisë Dardafon.net.

Dardafon.net kishte fituar lëndën në Arbitrazh në vitin 2016, ndërsa i është njohur e drejta për përmbarim/realizim të borxhit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj ka takuar në Tiranë zëvendëskryeministrin…