Xhaçka takohet kryediplomatin spanjoll: Duhet angazhim konstruktiv për Kosovën

14 prill 2023 | 14:02

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka pritur në një takim homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, vizita e të cilit i paraprin marrjes së Presidencës së BE-së nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit.

Me këtë rast, kryediplomatja shqiptare, ka thënë se duhet të ketë një angazhim sa më të gjerë e sa më konstruktiv për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, Xhaçka ka bërë me dije se pjesë e diskutimeve me homologun spanjoll ishte edhe çështja e Kosovës e cila merr një rëndësi të veçantë, duke qenë një hallkë themelore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit.

“Shqipëria është mirënjohëse për angazhimin e Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë amerikanë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne shpresojmë që marrëveshja do të zbatohet në një kohë sa më të shkurtër, pasi kjo do të kishte një ndikim shumë pozitiv për stabilitetin, por edhe bashkëpunimin rajonal, e sigurisht do të hapë edhe një perspektivë të re për një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Xhaçka.

Më tutje, ajo ka thënë se është në të mirën e vet Bashkimit Evropian që të ketë një angazhim më të gjerë rreth anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Besojmë që është në të mirën e rajonit por edhe të vet Bashkimit Evropian që me Kosovën të ketë një angazhim sa më te gjerë dhe më konstrukitv, përfshirë edhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare për të shmangur një izolim që do të kishte pasoja jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne”, ka thënë ministrja shqiptare.

Ndërsa ministri i Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno, vendi i të cilit është në grupin e pesë vendeve të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, nuk ka preferuar të ndalet shumë në çështjen e vendit tonë.

Ai e ka përmendur shkurt se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë ishin pjesë e diskutimit, por ka premtuar se Spanja do të mbështesë Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Gjatë presidencës spanjolle të Bashkimi Evropian ne do të mbështesim progresin e Shqipërisë në këtë procesin e anëtarësimit. Dhe mbështetja jonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të jetë shumë e aktive gjatë gjashtëmujorit që Spanja do të ketë presidencën e BE. Marrëdhënia mes Shqipërisë me Ballkanin dhe BE janë tema që kemi folur me ministren. Gjithashtu folëm për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë”, ka thënë kryediplomati spanjoll.

Krejt në fund, ai ka bërë me dije se do të organizohet një takim në rang kryeministrash në mes të  Shqipërisë dhe Spanjës për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

“Në këto momente ndajmë shumë vlera të përbashkëta të cilat sa i përket kartës së Kombeve të Bashkuara për Paqen, luftën kundër terrorizmit, dhunës ekstreme dhe të drejtat e grave. Do të takoj kryeministri Edi Rama dhe do ia përcjellë këto mesazhe në të njëjtën formë siç ia përcolla ministres dhe si do të organizojmë mbështetjen ndaj Shqipërisë gjatë Presidencës Spanjolle. Gjithashtu do të organizojmë një takim në rang kryeministrash mes të dy vendeve që të na ndihmojë për të forcuar këtë rrugë të përbashkët që ne kemi marrë”, tha ai.

Shqipëria dhe Spanja nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi për arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi vendosi të mos luajë në turneun Masters të Montekarlo,…