Xhaferi: Ivanovi do ta shkelë Kushtetutën nëse nuk e nënshkruan dekretin për Ligjin për gjuhët
Kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, do t’i shkelë dispozitat kushtetuese nëse nuk e nënshkruan dekretin për shpalljen e Ligjit për gjuhët. Kështu ka thënë sot kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, pas paralajmërimit të mbrëmshëm të shefit të shtetit se nuk do ta nënshkruajë dekretin për këtë ligj.
Xhaferi nuk deshi ta komentojë çfarë nëse Ivanov nuk e nënshkruan ligjin.
“Nuk do të komentoj çfarë do të jetë nëse është. Neni 75 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë është i qartë edhe pas votimit të sërishëm me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Kuvend, që është rasti me ligjin, presidenti i Republikës është i obliguar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Në të kundërtën i shkel dispozitat kushtetuese”, ka thënë Xhaferi.
Dje në një atmosferë të tensionuar, Kuvendi i Maqedonisë me 64 vota për e ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe në nivelin lokal dhe qendror të pushtetit dhe shihet si një përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit.