Xhaka përjeton emocione të veçanta në jubileun e 150-të me fanellën e Zvicrës

03 korrik 2026 | 12:01

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, e ka cilësuar si një moment të veçantë kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës së Botës, pasi ndeshja ndaj Algjerisë ishte edhe paraqitja e tij e 150-të me fanellën e kombëtares zvicerane. Mesfushori shqiptar është shprehur se ndihet i privilegjuar që ka përfaqësuar Zvicrën për kaq shumë vite.

“Është një privilegj të kem veshur këtë fanellë për herë të 150-të. Ky vend, ku kam lindur dhe jam rritur, i ka dhënë shumë familjes sime. Shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja ime e fundit”, ka deklaruar Xhaka. Ai ka zbuluar se para ndeshjes u kishte kërkuar bashkëlojtarëve ta bënin jubileun edhe më të veçantë duke siguruar kualifikimin, gjë që skuadra e realizoi me sukses Duke komentuar fitoren 2:0 ndaj Algjerisë, Xhaka është shprehur i kënaqur me paraqitjen e ekipit. “Pjesa e parë ishte e mirë, ndërsa e dyta shumë e mirë. Në ndeshjet me eliminim direkt nuk ka rëndësi si luan, por që të kualifikohesh. Dhe këtë e arritëm”, ka thënë ai. Kapiteni zviceran ka vlerësuar edhe punën e skuadrës në fazën mbrojtëse, duke theksuar disiplinën dhe forcën kolektive pas tri ndeshjeve të mëparshme në të cilat Zvicra kishte pësuar gol. Xhaka ka lavdëruar edhe talentin e ri Johan Manzambi, duke vlerësuar mentalitetin dhe potencialin e tij. “Ai është në rrugën e duhur për t’u bërë një lojtar shumë, shumë i madh. Edhe sot na ndihmoi të shënonim. Më pëlqen mentaliteti i tij, sepse dëshiron të përmirësohet çdo ditë. Kur e ke këtë qasje në një moshë kaq të re, mund të arrish gjëra të mëdha”, është shprehur Xhaka.

Në fund, ai ka falënderuar tifozët zviceranë për mbështetjen, veçanërisht ata që u zgjuan herët për ta ndjekur ndeshjen, duke e cilësuar përkrahjen e tyre si motiv shtesë për ekipin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda,…