Xhaka: Skuadrat italiane janë gjithmonë të forta në mbrojtje

22 maj 2024 | 14:53

Përpara finales së Dublinit kundër Atalantës, 31-vjeçari i mesfushës së Bayer Leverkusen, Granit Xhaka, foli për faqen zyrtare të UEFA-s. Mbi sekretin e suksesit të Leverkusenit: “Janë shumë faktorë. Është e qartë se nuk mund të fitosh ndeshje pa cilësi, kështu që cilësia është e para.

Vlen shumë edhe mentaliteti; dëshira, uria për të luajtur futboll, për të mos humbur dhe për të punuar. Puna që bëjmë ditë pas dite, para stërvitjes apo pas stërvitjes, këto janë gjërat kryesore të suksesit tonë”.

Për atë që e bën Bayer Leverkusen të veçantë: “Ekipi ka disa lojtarë shumë të rinj, që janë të uritur për të fituar, por ka edhe lojtarë më me përvojë, të cilët ende e kanë këtë uri. Kjo përzierje e lojtarëve me përvojë dhe të rinjve, respekti që tregojmë për njëri-tjetrin çdo ditë, është baza e sezonit të suksesshëm, ende pa asnjë humbje”.

Për Xabi Alonson: “Personalisht do të fokusohesha në personalitetin dhe mentalitetin e tij fitues. Ai e kishte tashmë këtë staturë qysh kur ishte lojtar. Edhe si trajner na e transmeton këtë, jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje. Ai gjithmonë na jep udhëzime se si të fitojmë ndeshje, se si të qëndrojmë të qetë, edhe nëse po kalojmë një moment jo shumë pozitiv”.

Në finale kundër Atalantës: “Finalet janë për t’u fituar. Skuadrat italiane janë gjithmonë të veçanta dhe të forta në mbrojtje. Atalanta është edhe më e specializuar për këtë. Do të ketë shumë duele një kundër një në fushë. Ata janë fizikisht shumë të fortë dhe të shpejtë, por edhe ne kemi disa cilësi të veçanta”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndër shkollat më të mëdha në Komunën e Skenderajt, ka…