Yllka

23 janar 2022 | 09:13

DIBRAN DEMAKU

 

Kishte marrë pjesë në shumë konkurse letrare me e me prozë. Çdoherë i kishte respektuar kushtet e kon-kurseve: Ishte paraqitur me emër e mbiemër kur konkurset e kërkonin një gjë të tillë, por edhe me shifër kur kërkohej që autori të ishte anonim. Kishte konkurruar me shifra të ndryshme që, sipas tij, ishin shumë të gjetura, por asnjëherë nuk kishte fituar. Jo që nuk kishte fituar ndonjë vend të dytë apo të tretë, se për të parin as që bëhej fjalë, por krijimet e tij nëpër konkurse të ndryshme nuk i kishin marrë as për botim.

E kishte pyetur shumë herë veten se pse i ndodhte kështu, por përgjigjen nuk kishte mundur ta gjente asnjëherë. Ndonjë­herë në dëshpërim e sipër kishte menduar ta linte krijimtarinë dhe të mos merrej më me të, por pastaj, pasi i kishin kaluar çastet e dëshpërimeve, kishte vazhduar sërish të shkruante. Dhe nuk kishte gabuar. Ja, më në fund mundi shumëvjeçar në krijimtarinë letrare po i shpaguhej. Në konkursin e fundit tregimi i tij ishte shpallur më i miri dhe kishte marrë çmim të parë. Kur e lexoi lajmin në gazetë, sa nuk i pushoi zemra nga gëzimi dhe filloi ta puthte gazetën.

Me gazetë në dorë shpejtoi për në shtëpi që ta gëzonte edhe të shoqen, e cila, dorën në zemër, edhe vetë nuk i pëlqente shkrimet e tij.

Le të thonë tash e tutje smirëzinjtë se unë nuk qenkam shkrimtar i shquar! – po i rrihte në kokë si çekan ky mendim duke ia shtuar ndjenjën e krenarisë.

Kur i tregoi së shoqes se tregimi i tij kishte marrë çmim të parë në konkursin e fundit letrar ajo sikur nuk i besoi, por nuk ia prishi. Në qeshje e sipër i tha: – Më në fund ishte koha që edhe ti të fitoje një çmim, në mos për gjë tjetër, për dëmet dhe shpenzimet e letrës që ke bërë!

Ironia e hapur e së shoqes sikur ia acaroi pak nervat, por ai nuk deshi që me ndonjë fjalë ofenduese ta prishte gëzimin e ditës. Atë gëzim që ai e kishte ëndërruar gjatë, gjatë…

Në ditën e caktuar për marrjen e çmimeve nga fituesit, ai u nis së bashku me të shoqen dhe arritën ndër të parët në adresën e caktuar. Para tyre kishin ardhur vetëm pak krijues e dashamirë të letërsisë, ndërkaq të tjerët arritën më vonë. Ai u takua dhe u përshëndet me shumë nga ata, por indiferenca dhe heshtja e tyre e habitën. Ata po silleshin me të shumë ftohtë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Asnjëri nga ata nuk po e uronte për çmimin. Kjo indiferencë e tyre atij po ia acaronte nervat. Nuk do ta kenë lexuar lajmin në gazetë, apo kanë inat që nuk më urojnë për çmimin? – po e pyeste veten në heshtje. Fill pas mendimit të parë në kokë e sulmoi mendimi që ia nxiti krena­rinë: Heshtni, ju, heshtni e mos më uroni, por unë sot do ta tund, – dhe një buzëqeshje, që edhe ai nuk e dinte në ishte e çiltër apo ironizuese, ia përshkoi fytyrën.

Së bashku me të shoqen përkrah hynë në sallën ku do të jepeshin çmimet e fituara. Nuk deshi të ulej në rendet e para. Nuk dua të mendojnë se nga sot unë jam i denjë të ulem në rendin e pare, – po i thoshte një zë brenda vetes.

Kryetari i jurisë së konkursit letrar, pasi i kishte shpallur zyrtarisht çmimet e dyta dhe të treta të konkursit dhe ua kishte dhënë fituesve, tash po fliste për vlerat letrare-artistike të tregimit që kishte marrë çmim të parë. Tashmë kryetari i jurisë kishte përmendur edhe emrin e tij dhe ai po habitej se si asnjëri nga të pranishmit në sallë nuk po e uronte! Së paku për mirë­sjellje ata duhej ta kthenin kokën nga ai dhe në vend të urimit, së paku t’i buzëqeshnin. Por jo, asnjëri nuk po e kthente kokën nga ai.

Ky është kulmi i injorancës së tyre, – po mendonte në vete. Por, ani se nuk ka mbetur edhe shumë kohë kur nga këtu do të ngritem në piedestal dhe do të shohim pastaj se a do të qëndroni kështu indiferentë ngat meje, injorantë të mallkuar! – po grindej në vetvete.

Kryetari i jurisë po fliste ende. Por, për çudinë e tij, ai dëgjoi se kryetari po e zinte ngoje një autore si fituese të çmimit të parë e jo autorin që ishte ai vetë! Ai, kryetari i jurisë, me fjalë shumë të zgjedhura po e lavdëronte autoren e tregimit. Ylli u nevrikos: Ç’po përrallisë edhe ky matuf? – sa nuk i dolën fjalët nga goja. Unë jam autor e jo autore e tregimit! – po mundohej ta qetësonte veten.

I lutem autores Yllka Bashit që të vijë dhe të marrë çmimin! – u dëgjua zëri i kryetarit të jurisë. Të gjithë sa ishin të ulur në rendet e para kthyen kokat prapa të shihnin kur të ngritej autorja që ata nuk e njihnin.

Por, për habinë e tyre, nuk po ngrihej askush. Yllit nga habia dhe inati që ndiente përbrenda i ishin tendosur nervat dhe sa nuk i pëlcisnin. Do të jetë ngatërruar matufi! – ia bëri ai vetes, por këtë herë i dolën nga goja ca fjalë të padëshifruara, të cilat i dëgjoi edhe e shoqja ulur në një karrige pranë tij. Ajo e kapi nga mënga dhe e shkundi: Ç’ke kështu që po flet vetëmëvete?

Mos më çaj edhe ti kokën! – ia ktheu Ylli me zë të ulët.

I lutem edhe një herë autores Yllka Bashit që, nëse është këtu, të vijë e ta marrë çmimin! – u dëgjua sërish zëri i kryetarit të jurisë.

Sërish nuk u ngrit askush. Ylli po bënte luftë të brendshme në veten. Njëra pjesë e unit i thoshte që të dilte në podium dhe të thoshte se këtu kishte ndodhur një gabim, ndërkaq tjetra pjesë e unit ia ndalte turrin: Mos dil se do të bëhesh gazi i botës! Në luftën e tij të brendshme fitoi pjesa nxitëse e unit dhe ai u ngrit papritmas. Sa ishin në sallë menduan se personi që u ngrit do t’i tregonte arsyet se përse nuk kishte ardhur autorja fituese.

Por, i ngrituri, për habinë e tyre, nuk e tha asnjë fjalë, vetëm iu drejtua publikut. Kur Ylli tashmë ishte në presidium iu afrua njëri nga anëtarët e jurisë dhe me zë të ulët e pyeti se ç’dëshironte të thoshte. Ylli as që denjoi të fliste me të dhe, duke iu afruar mikrofonit, tha: Juria e konkursit në fjalë ka bërë një gabim. Ka lajthitur. Fitues i çmimit të parë për tregim jam unë, Yll Kabashi e jo njëfarë autore me emrin YllKa!

Pas fjalëve të tij, në sallë shpërtheu gazi. Të gjithë sa ishin të pranishëm menduan se ai ishte një i lajthitur që nuk dinte se ç’bënte dhe ç’thoshte. Ndonjëri nga ata kërkoi me forcë që atë ta largonin që andej.

Kryetari i jurisë së konkursit letrar iu afrua Yllit dhe i kërkoi që të shkonte e të ulej në vendin e tij e të mos bëhej gazi i botës. Ylli ngulte këmbë si mushkë dhe nuk lëvizte nga e tija. Bëri ç’bëri kryetari i jurisë ta bindte dhe kur e kuptoi se nuk do të kishte sukses, iu drejtua: Mirë, atëherë tregoni se cili jeni ju që pretendoni se jeni fitues i çmimit të parë të konkursit tonë?

Unë jam Yll Kabashi, krijues i mirënjohur i letrave. Deri më tash kam marrë pjesë në shumë konkurse letrare dhe nuk kam fituar asnjëherë. Por, ja që kësaj radhe më qeshi fati dhe fitova çmimin e parë. Dhe për këtë jam i lumtur dhe krenar

S’është e mundur! – ia ktheu kryetari i jurisë.

E pse nuk qenka e mundur? – ia ktheu Ylli.

Pastaj, as emri yt nuk përputhet me emrin e fitueses. Ajo quhet Yllka Bashi, ndërkaq emri yt qenka Yll Kabashi! – ia ktheu kryetari me nervozitet.

Është e mundur edhe mirë bile! – ia ktheu Ylli. – Ja, shikoji tri kopjet e para si dhe kopjen e katërt që e kam unë, se sa mirë përputhen! Në të gjitha kopjet qëndron emri im! Paksa i deformuar, por qëndron.

Si mund të thuash se ai është emri yt, kur në letër shihet qartë se është YllKa. Dhe emri YllKa dallon nga emri Yll, jo veç nga gjinia, por edhe nga numri i shkronjave. Emri Yll ka dy shkronja, ndërkaq emri YllKa ka katër shkronja! – përfundoi kryetari i bindur se tashmë ishte sqaruar gjithçka.

Ylli për pak çaste heshti pastaj, duke qeshur, tha: Keni rënë në grackë, zotëri kryetar! Edhe ju anëtarë të jurisë. As vetë nuk e di sesi ka ndodhur, por juve ju ka vënë në lajthitje një gabim teknik. Një gabim teknik që as unë nuk e di sesi ka ardhur. Unë në fund të tregimit e kam shkruar emrin tim Yll Kabashi por, siç duket, kompjuteri ka bërë një gabim, por që ai gabim ka shkuar në favorin tim. Kompjuteri e ka ndarë mbiemrin tim në dy pjesë dhe pjesën e parë ia ka bashkuar emrit. Në këtë mënyrë është formuar emri YllKa! Ndërkaq si mbiemër ka mbetur pjesa bashi. Se e tëra kjo që them është e vërtetë, që nuk lë asnjë dilemë, shikojeni emrin YllKa dhe mbiemrin bashi! Tek emri shkronja e tretë është e shkruar me germë të madhe, ndërkaq mbiemri ka mbetur i shkruar me germë të vogël. Dhe kështu ju, duke menduar se tregimin e ka dërguar një femër, pa një pa dy i keni ndarë çmimin e parë. Por, ky fakt, mendoj unë nuk do të thotë se tregimi im nuk ka vlera. Ai ka vlerë që ç’ke me të? Nëse nuk ka vlera letrare-artistike, ka vlera material. Dhe ato vlera materiale, deshët ose nuk deshët ju, do t’i gëzoj unë.

Në sallë shpërthyen duartrokitje dhe të qeshura. Në anën tjetër anëtarët e jurisë së bashku me kryetarin i kishte mbuluar djersa. Kishin mbetur pa fjalë nga habia. Nuk dinin se ç’të bënin pas kësaj befasie aspak të këndshme për ta. Ndërkaq në sallë nuk pushonin të qeshurat.

Ylli pas fjalës së tij shkoi dhe u ul në vendin e vet si triumfator. E shoqja sa mund e ndukte nga krahu duke i thënë: Ç’na bëre ore derëzi! Na nxive faqen!

Ylli nuk e prishte fare terezinë. Ai e dinte se kësaj radhe kishte dalë fitues edhe pse krejt rastësisht! Dhe sido që të ishte, kjo fitore e tij ishte për t’u festuar.

Juria ndërkaq, e zënë në befasi, nuk kishte rrugë tjetër, vetëm ta uronte fituesin. E ai fitues qe pikërisht Yll Kabashi!

Kryetari i jurisë u ngrit nga vendi ku ishte ulur, si humbës karshi Yllit, dhe e konfirmoi fitoren e tij.

Ta gëzosh çmimin, zonja YllKa! – e uroi Yllin. Ndërkaq Ylli duke qeshur iu drejtua publikut në sallë: Unë jam Yll Kabashi, fitues i çmimit të parë, ndërkaq YllKa bashi mund ta fitojë atë mbase vitin tjetër! Kur po dilnin nga salla u kujtua edhe e shoqja ta uronte për çmimin: Urime për çmimin, zonja YllKa! – dhe një qeshje ironike ia përshkoi buzët.

Qeshu ti, qeshu, por unë e mora çmimin! – ia ktheu Ylli.

(Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”)

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NDUE UKAJ Të gjithë frikësohen nga ëndrrat dhe për këtë…