Zëdhënësi i PDK-së kritikon Kurtin: ‘Dialogu prioritet i shtatë’, ide korruptive

08 dhjetor 2022 | 14:40

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu,  ka thënë se dialogu si prioritet i shtatë i proklamuar nga kryeministri Albin Kurti, në thelb ka qenë ide korruptive.

Ai ka thënë se kjo deklaratë, Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 i ka sjellë jo pak vota.

“E sot? Sot a është prioritet dialogu? A i ka anashkaluar dhe eklipsuar dialogu me Serbinë shumë gjëra vitale për jetën e qytetarëve? A po shpenzohet shumë mund dhe energji për dialog me Serbinë, a është ai prioritet i shtatë apo i parë?  Çka do të thotë krejt kjo sot? Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me ide korruptive, pra me diçka që premton mandej nuk e realizon, ama do vota të mira me rrena i fut në xhep”, ka shkruar Abdullahu në “Facebook”.

Postimi i plotë i Abdullahut:

“Dialogu prioritet i shtatë” si ide korruptive

Duke e dëgjuar kryeministrin e sotshëm kohë më parë si opozitar, tek thoshte se dialogu me Serbinë do të jetë prioritet i shtatë, jo pak qytetarë i kanë besuar se kjo do të ndodh përnjëmend. Të lodhur shumë vite nga dialogu, qytetarët për më shumë i dhanë disa vota edhe për këtë premtim.

Por kalkulimi ishte djallëzor në arsyetim dhe në mesazh dërguar qytetarëve. Qe si. Pse të shpenzohet gjithë kjo energji për dialog me Serbinë në vend se të përqendrohemi si shtet e shoqëri në punësim, zhvillim, ndërtim, shëndetësi, arsim, etj.

Ne do të përqendrohemi në zhvillim jo në dialog sikur thoshin opozitarët dje, sot qeveritarë. Qasja “dialogu prioritet i shtatë” u tregu profitabile sjelli edhe jo pak vota në atë thesin e madh prej mbi 50 për qind.

E sot? Sot a është prioritet dialogu? A i ka anashkaluar dhe eklipsuar dialogu me Serbinë shumë gjëra vitale për jetën e qytetarëve? A po shpenzohet shumë mund dhe energji për dialog me Serbinë, a është ai prioritet i shtatë apo i parë?  Çka do të thotë krejt kjo sot? Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me ide korruptive, pra me diçka që premton mandej nuk e realizon, ama do vota të mira me rrena i fut në xhep.

Poshtë popullizmi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Holanda ka arritur në çerekfinale të Kupës së Botës ku…