Zeka: Nga sot fillon aplikimi për legalizimin e armëve ilegale, kjo është procedura

17 dhjetor 2018 | 12:11

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i cili është edhe Koordinator Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka, ka bërë me dije se nga sot të gjithë qytetarët të cilët posedojnë armë ilegale mund të fillojnë aplikimin për legalizimin e tyre.

“Vendimi për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta tani më është nxjerr nga MPB-ja dhe periudha e legalizimit fillon nga data nga sot, 17 dhjetor 2018, dhe do të jetë në fuqi për gjashtë muaj. Ne konsiderojmë se kjo periudhë është e mjaftueshme që qytetarët tanë të legalizojnë armët e tyre. Gjatë kësaj kohe ne do të shpërndajmë në mënyrë të vazhdueshme informatat e nevojshme në lidhje me procedurat që duhen ndjekur nga qytetarët për të realizuar këtë të drejtë ligjore”, ka thënë Zeka, raporton “Epoka e re”.

Ai ka treguar edhe për procedurat që duhet ndjekur në këtë proces.

“Në parim procedurat janë të thjeshta dhe krejt çka duhet të bëjë një qytetar i cili posedon një armë dhe dëshiron ta legalizojë atë, duhet të lajmërohet tek zyrtari policor në stacionin më të afërt të policisë dhe aty do të marrë të gjitha informatat e nevojshme në lidhje me procedurat që duhet ndjekur për të legalizuar armën që ka në posedim. Përveç kësaj ne si MPB do të jemi të gatshëm që të asistojmë në çdo kohë që paraqitet nevoja për të lehtësuar këtë proces”, ka thënë ai.

Zëvendësministri Zeka ka theksuar se Kosova ballafaqohet me problemin e posedimit ilegal të armëve të vogla dhe të lehta kryesisht si vend i cili ka dalë nga lufta.

“Kjo ka bërë që në duart e qytetarëve të mbetet një numër i madh i armëve të vogla dhe të lehta. Hulumtimet ndërkombëtare kane nxjerrë si rezultat që në Kosovë gjinden një numër në mes të 240 000 dhe 260 000 i armëve të vogla dhe të lehta. Ky numër është ulur për rreth 10 000 armë të vogla dhe të lehta gjatë viteve te kaluara si rezultat i masave që janë marrë nga institucionet, siç janë miratimi i bazës ligjore për armë si dhe konfiskimet e rregullta që bëhen nga Policia e Kosovës”, ka thënë Zeka, raporton “Epoka e re”.

Ai ka shtuar se i armëve të vogla dhe të lehta në posedim ilegal që i referohen hulumtimet është i madh.

“Procesi i legalizimit është dizajnuar si i tillë që të ndikojë në uljen e këtij numri të armëve të vogla dhe të lehta. Ne kemi përgatitur dhe dërguar për miratim ligjin për legalizim dhe dorëzim vullnetare duke u bazuar ne trendët e shteteve të rajonit si dhe kërkesat e vazhdueshme nga qytetarët të cilët kanë kërkuar krijimin e mundësisë që të legalizojnë armët që i kanë në posedim, duke mos u ndëshkuar për to. Gjithashtu ky proces është kërkuar nga shoqëria civile si dhe ekspertët e sigurisë si domosdoshmëri për të ndikuar në uljen e numrit të armëve të vogla dhe të lehta në posedim ilegal”, është shprehur Zeka.

Ai ka theksuar se procesi i legalizimit të armëve të vogla dhe të lehta është një mundësi e mirë për poseduesit e armëve të vogla dhe të lehta ilegale, pasi siguron ata që nëse kanë armë dhe dëshirojnë t’i mbajnë t’i regjistrojnë ato sipas kërkesës ligjore, duke mos pasur frikën se mund të ndëshkohen për to.

“Ju bëjmë thirrje që të shfrytëzojnë këtë mundësi ligjore për të legalizuar armët e tyre. Gjithashtu ky proces do të ndikojë edhe në përmirësimin e imazhit të vendit tonë, sepse ne kemi një numër të vogël të armëve të regjistruara krahasuar me numrin e armëve të vogla dhe të lehta ilegale i cili del si rezultat i hulumtimeve të kryera. Pra nga legalizimi përfitojnë të dy palët, dhe si rezultat final ne do të kemi një vend dhe mjedis më të sigurt për të jetuar”, ka thënë zëvendësministri Zeka.

Ai ka thënë se duke qenë se procesi i legalizimit po ndodh për herë të parë në Kosovë, kërkojnë mirëkuptim nga qytetarët për pengesat e mundshme teknike që mund të ndodhin.

“Do të angazhohemi maksimalisht që ky proces të zhvillohet sa më mirë që është e mundur”, ka thënë Koordinatori Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja Bella Hadid është një nga njerëzit më të ndjekur…