Zgjedhjet në Këshillin e Prindërve, SBAShK-u: Ministres Nagavci nuk i është larguar inati

19 qershor 2023 | 14:22

Sindikata Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Kulturës së Republikës së Kosovës (SBAShK) përmes një komunikate për medie ka hedhur akuza në drejtim të ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

“Ideja e ministres Nagavci për të shpallur zgjedhje të parakohshme për Këshillin e prindërve tregon se asaj nuk i ik dot inati ndaj atyre që nuk ulin kokën e nuk veprojnë e nuk flasin ashtu si do ajo dhe partia në pushtet”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.

Sipas kësaj sindikate, ministrja Nagavci dëshiron ta ketë një Këshill të prindërve që ia bën aminin fjalëve e vendimeve të saj.

“Do që ta ketë një kryetar të këtij Këshilli siç ishte njëri dikur që shante e fyente punëtorët arsimor dhe sindikatën e tyre pa fije argumenti e pa pikën e turpit e vetëm për t’i hyrë në hatër pushtetit”, thuhet në komunikatë.

Sipas SBAShK-ut, ministrja Nagvci do të ishte e lumtur po të prishej uniteti në SBASHK e të bëhej pikë e pesë kjo sindikatë, që duke respektuar zërin e anëtarësisë, që nga çerdhet e deri në universitet, ka bërë gjithë ato angazhime.

“Ministrja Nagavci priti shumë nga veprimet plot mllef të Hekuran Muratit, që shleu tërë anëtarësinë sindikale dhe krijoi një kusht të ri me eKosova. Kot shpresuan Hekurani e Arbëria se punëtorët arsimor nuk do të regjistrohen rishtazi në këtë platformë dhe do të shuhet SBAShK, por për fatin e tyre të keq kjo nuk ndodhi. SBAShK kaloi edhe këtë sfidë dhe ishte e mbetet sindikata më e organizuar dhe më e fuqishme në Kosovë e më gjerë dhe duke qenë kështu iu shtua mbështetja nga Sindikata e Mësuesve të Amerikës, por edhe nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës dhe nga Internacionalja Botërore e Arsimit”, theksohet në komunikatën e SBAShK-ut.

Kjo sidikatë ka bërë me dije se Nagavci ka nëntë muaj që nuk takohet me përfaqësuesit e tyre.

“Mirëpo ka kohë që u pa se Nagavci nuk e ka inatin vetëm me SBAShK-un. Asaj nuk i pëlqeu as qëndrimi korrekt i Kryesisë së Këshillit të prindërve të Kosovës. Nagavci ka dëshiruar që ky Këshill të vjell vrerë ndaj punëtorëve arsimorë gjatë gjithë grevës dje pas saj, por ky Këshill kishte paraqitje të kulturuar. Nuk e ka përkrahur grevën, por nuk fyente punëtorët arsimor, por kërkonte dialog për të gjetur zgjidhje. Këshilli i Prindërve kritikoi arsyeshëm edhe vendimin e ministres për të mbajtur mësim të shtunave me qëllim të zëvendësimit të orëve të humbura në grevë. Ministrja vendimin e solli e inatosur dhe pa u konsultuar as me Këshillin e prindërve e as me DKA-të e as me SBAShK-un”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është favorite e madhe në…