Zgjedhjet në veri, një diplomat nga Parisi dhe ambasadori francez takojnë Simiqin

25 prill 2023 | 15:52

Zëvendësi i Departamentit për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Nicholas Faye, bashkë me ambasadorin francez në Kosovë, Olivier Guerot kanë qëndruar të martën në veri të Mitrovicës ku janë takuar nënkryetarin e Listës Serbe, Igor Simiq.

Siç ka njoftuar Simiq, në këtë takim kanë biseduar për zgjedhjet lokale të mbajtura në katër komunat veriore, për të cilat ai ka thënë se “janë të paligjshme, jolegjitime dhe jodemokratike”.

Sipas politikanit serb, komunitetit ndërkombëtar “nuk duhet t’i vijë keq pse serbët i bojkotuan zgjedhjet”, por sipas tij “është për të ardhur keq që përfaqësuesit ndërkombëtarë janë të njohur me të gjitha problemet dhe nuk kanë bërë asgjë për t’i zgjidhur”.

Simiqi ka shkruar se situata ishte e qetë të dielën “meqë ashtu ka qenë urdhri nga Lista Serbe dhe nga Aleksander Vuçiq”, dhe sipas tij, jo pse kryeministri Albin Kurti ka dërguar dhjetëra policë në veri.

“Theksova se kthimi i serbëve në institucione është i pamundur derisa të plotësohen kërkesat e popullit serb, që është formimi i Bashkësisë së komunave serbe dhe tërheqjen e të gjitha njësive speciale nga veriu i Kosovës që ngacmojnë serbët në baza ditore popullin”, ka shkruar Simiq.

Ambasadori francez Guerot pas përfundimit të zgjedhjeve lokale kishte deklaruar se dalja shumë e vogël në zgjedhje nuk i kontribuon një zgjidhjeje afatgjate politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti është mbajtur të martën…