Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, LDK-ja: Të shkarkohet Haxhiu, përndryshe edhe Kurti është bashkëpërgjegjës

09 dhjetor 2022 | 14:16

Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).

Manaj, në një konferencë për media, ka thënë se nëse Haxhiu nuk jep dorëheqje sot atëherë kryeministri Albin Kurti, duhet ta shkarkojë atë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që zhdukja e mostrave të Astrit Dehari nga laboratori të IML-së që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është super skandal dhe akti i shëmtuar kriminal”.

|Ky rast tregon më së mirë gjendjen në të cilën është katandisur Ministria e Drejtësisë dhe institucionet vartëse të saj. Ministrja e Drejtësisë është e paaftë që të drejtojë këtë ministri dhe të udhëheq procesin e reformave në drejtësi. Prandaj, dorëheqja e ministres së Drejtësisë është minimumi i përgjegjësisë së saj në këtë rast dhe në shumë raste tjera parapake”, ka thënë Manaj, duke shtuar se nëse Kurti nuk e shkarkon Haxhiun do e konsiderojnë si bashkëpërgjegjës për këtë rast të cilin e konsiderojnë si super skandal dhe akt kriminal.

“Nuk mjafton pezullimi i zyrtarëve të IML-së, ky është një veprim me anë të se cilit mundohet të mbulohet përgjegjësia politike dhe institucionale e ministres së Drejtësisë. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, nëse nuk jep dorëheqje brenda ditës së sotme e ftojmë kryeministrin Kurti që ta shkarkojë atë – në rast se nuk e shkarkon e konsiderojmë bashkëpërgjegjës në këtë rast të zhdukjes së mostrave”.

“Nëse ndodh që zhdukja e këtyre mostrave do të ketë efekt të drejtpërdrejt në ndriçimin e plotë të rastit Dehari, atëherë shtrohet pyetja kujt po i intereson mos zbardhja e këtij rasti?”, ka thënë Manaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot dhe nesër do të zhvillohet xhiroja e nëntë në…