Zijafetet familjare dhe politika gjatë festave

26 nëntor 2021 | 07:47

Orhan Pamuk

Më pëlqen t’i vizitoj të afërmit gjatë festave, veçanërisht dajat, xhaxhallarët, hallat, tezet, të afërmit e largët, pleqtë dhe më të mirët. Tezet, hallat dhe dajat e axhët e moshuar bëjnë një për­pjekje të disiplinuar që të jenë “të mirë” gjatë këtyre vizitave. Me të gjitha që i ofrojnë – fjalët e ëmbla, përkujdesjet dhe bisedat e rafinuara – në fund, janë të mirë. Në kundërshtim me atë që dëshirojmë të besojmë, kjo tregon se kërkohet goxha mund për të qenë i mirë. Por, gjatë këtij viti, derisa dëgjoja meseletë për sahatin kukuvajkë që ma përkujtuan aq shumë fëmijërinë, kur më pëlqente heshtja të cilën e sjellin bajramet në rrugët e Stambollit, dhe kur kafshova llokumin që e mbante shijen e përhershme, e ndjeva praninë e së keqes. Më lejoni ta përshkruaj këtë. Kjo vjen, mendoj, nga dëshpërimi dhe xhelozia. Të gjithë këta daja, axhë, akraballëk, të afërm të ëmbël që puthin vajzën time, të gjithë ata heronj të gushtit të pushi­meve të mia të fëmijërisë, dikur e shihnin veten si perëndi­morë, por tashti duken sikur e kanë humbur besimin. Janë hidhëruar me Perëndimin.

Kurban Bajrami duhet të jetë festë tërësisht fetare dhe duhet të na lidhë me të tanishmen dhe me të kaluarën. Por, gjatë tërë fëmijërisë sime këto dhe festat e tjera islamike i kam përjetuar jo si tradita religjioze, por si festime të perëndi­mëzimit dhe republikës. Në qarqet e klasës së mesme të lartë – në Nişantaşi dhe Beyoglu – domethënia e kësaj nuk kishte të bënte me bajrame, as me kurbanin e qengjave dhe aq më pak me Isakun. Pasi ishte festë, të gjithë bartnin rrobat më formale perëndimore. Vishnin xhaketa dhe kravata, u ofronin mysa­firëve pije dhe pastaj të gjithë burrat dhe gratë, në stilin perëndimor, uleshin së bashku në një tavolinë të madhe për të ngrënë zijafet në “stilin e Perëndimit”.

Nuk ishte rastësi kur e lexova Buddenbrooks-ët e Thomas Mannit, në moshën njëzetvjeçare, dhe kur më habitën ngja­shmëritë e çuditshme dhe dallimet tronditëse në mes të ushqimeve familjare në novelë dhe zijafeteve e festave në shtëpinë e gjyshes sime. Isha me këto përshtypje në mendje kur u ula të shkruaj Xhevdet Beu dhe të bijtë (Cevdet Bey ve Ogullari). Kur shohim se shkrimtarët e tjerë kanë pasur përvoja të ngjashme me tonat, ne frymëzohemi jo vetëm që të lexojmë por, në veçanti, edhe t’i hulumtojmë dallimet. Në të njëjtën kohë unë rrëfeja tregimin për Republikën dhe perëndimë­zimin. Sikur gjyshja ime, personazhet në atë novelën e parë janë tejet të pafajshme ndaj Perëndimit, madje edhe nëse e ruajnë frymën e vjetër të bashkësisë dhe ndjenjën e qëllimit të përbashkët. Mua nuk më pëlqen më fryma e bashkësisë dhe ndjenja e qëllimit të përbashkët, por ende më merr malli për pafajësinë fëmijërore me të cilën të afërmit e mi dikur e shprehnin me mallëngjim interesimin që kishin për Perëndi­min. Gjatë vizitës së kësaj feste, megjithatë, në mes të disku­timeve dhe përkujtimeve të çështjeve të përdit­shme, vërejta titujt e gazetave dhe hidhërimin e shprehur nga të afërmit e mi pleq – në rrjedhën e muhabetit të zakonshëm – një lloj shqetësimi. Borgjezia turke po vuante nga dhembjet dhe hidhërimi duke e humbur shpresën në ëndrrat e tyre.

Dukej që ata kishin filluar të ndryshonin mendimin për perën­dimëzimin pasi që besimi i verbër i mëparshëm në ilumini­zmin e Perëndimit ishte ide e keqe për arsye se na inkurajoi që ta denigrojmë traditën dhe të largohemi nga historia jonë! Të shkuara janë ditët e fëmijërisë gjatë zijafeteve të vjetra në shpresën e tyre, pafajësinë dhe kuriozitetin fëmijëror. Në mesin e atyre që dëshironin të ishin perëndimorë ekzistonte një dëshirë e sinqertë që të mësohej se si bëhet kjo. Besimi se ekzistojnë gjëra të cilat duhen mësuar nga Perëndimi ishte shumë më i fuqishëm ato ditë, kurse disponimi ishte optimist. Por, të gjithë ata që i vizitova më 1998, të afërmit pleq që murmurinin aq shkretue­shëm para televizorëve, fëmijët e tyre të pasur të moshës së mesme – borgjezia e Stambollit që ka marrë hisen e luanit nga pasuria e Turqisë por që pëlqen të blejë në dyqanet e Parisit dhe Londrës – po e mallkonin Evropën me një zë. Interesimi i vjetër që ekzistonte për Evropën ishte batërdisur. Pra, po ashtu, kishin shkuar edhe xhaketat dhe kravatat që i vishnin për zijafetet e fëmijërisë sime. Ndoshta kjo është mënyra se si duhet të jetë gjendja pasi që gjatë shekullit të kaluar kemi mësuar një sasi të mjaftue­shme për Perëndimin. Por, hidhërimi është i vërtetë dhe vjen si rezultat i negociatave me Unionin Evropian, ku u pa se, përkundër të gjitha orvatjeve tona për të qenë perën­dimorë, ata ende nuk na duan, duke zbuluar se kanë për qëllim që të na diktojnë kushte në strukturat demokratike dhe të drejtat e njeriut. Hidhërimi që i ka lënduar pleqtë, ëndrrat fëmijërore të të cilëve janë bërë realitet, këtyre ditëve është gjithkund.

Ata thonë se dhe në Perëndim “gjithashtu” ka tortura. Ata thonë se historia e Perëndimit është plot me shtypje, tortura dhe gënjeshtra. Ata thonë se interesi i vërtetë i Evropës nuk janë të drejtat e njeriut, por përparimi i tyre. Në këtë apo atë vend evropian ata, “gjithashtu”, i përndjekin pakicat në këtë apo atë mënyrë; në një qytet të caktuar evropian policia, “gjithashtu”, shkel zëshëm dhe me forcë brutale pakënaqësitë në mesin e qytetarëve. Atë që ata duan ta thonë është se nëse ata bëjnë një të keqe në Evropë, edhe neve, gjithashtu, na lejohet ta bëjmë këtu e ndoshta ta bëjmë edhe më shumë. Ndoshta atë që ata duan ta thonë është se, nëse Evropa duhet të jetë modeli ynë, atëherë ne duhet ta marrim shembullin e tortu­ruesve, inkuizitorëve dhe gënjeshtarëve dyfytyrësh. Evropa ka qenë shatërvan i civilizimit. Por, në vitin 75 të Republikës, është shndërruar në atë që shihet si burim i të keqes.

Kjo ndjenjë antievropiane është rritur shpejt gjatë viteve të fundit, më shpejt sesa që e kam imagjinuar ndonjëherë dhe nuk kam dyshim se kjo ka të bëjë shumë me rritjen e shpejtë të një numri të kolumnistëve të gazetave që kanë qëndrim antievropian. Ata që shkruajnë se Evropa, “gjithashtu”, ka torturues dhe se “ata”, po ashtu, i përndjekin pakicat e tyre dhe shkelin të drejtat e njeriut; ata që shfrytëzojnë çdo rast që t’ia përkujtojnë publikut se sa poshtë “ata” i shohin turqit dhe religjionin tonë. Është e qartë se këta kolumnistë e bëjnë këtë për të mbuluar dhe legjitimuar shkeljet e të drejtave njerëzore, ndalimin e librave dhe burgosjen e gazetarëve në vendin e tyre. Në vend se t’i shfrytëzojnë energjitë e tyre dhe lapsat për të kritikuar këto të këqija të lindura në vendin e tyre, ata shfryhen kundër evropianëve të cilët e tërhoqën vëmendjen kundër të këqijave tona. Kjo, ndoshta, është e kuptueshme. Por, ka pasur pasoja të cilat ata nuk i kanë ëndërruar kurrë. Në vigjilje të tërë këtij antievropianizimi, antiperëndimi, të një nacionalizmi gjithnjë e më sharës, zijafetet janë bërë tubime në të cilat të gjithë ulen përreth duke folur për shejtanin që gjendet në Perëndim. Gjeta dajë dhe axhë të këtillë në tri shtëpi, një pas një! Në kohët e vjetra këta do të bisedonin me mençuri se si ne, që të gjithë, një ditë do të jemi më shumë perëndimorë, por tani vazhdojnë në pambarim bisedën për të këqijat e Perëndimit duke e përdorur një lloj gjuhe të thyer dhe të ashpër të cilën njeriu do ta priste vetëm nga ndonjë harbut i mëhallës. Pas një jete të tërë duke shkuar në Evropë për të bërë ‘shoping’, duke u bazuar në idetë evropiane mbi të gjitha, që nga arti deri te veshmbathja, dhe duke e përdorur kulturën perëndimore për ta dalluar veten nga klasat e ulëta, për të legjitimuar superioritetin e tyre, këta tashti janë kthyer kundër Evropës për shkak të kuptimit të dyfishtë të standardit të të drejtave të njeriut. Tashti ata duan që Evropa të shërbejë si gogol kështu që do të thoshin se, kur torturohen njerëzit dhe kur përndiqen pakicat këtu, kjo nuk është duke ndodhur vetëm te ne, por edhe në Evropë.

Edhe përpara, gjithashtu, kanë ekzistuar tensionet Lindje – Perëndim. Duke i pirë pijet dhe duke grimcuar ëmbëlsirat, biseda jonë e kujdesshme nganjëherë kalonte edhe në stërpikje për të djathtën dhe të majtën. Por, edhe nëse ata dukeshin sipërfaqësorë dhe tuafë, nuk mund të hidhëroheshin shumë, vetëm për arsye se këta njerëz mirëdashës i kishin sytë e përqendruar kah Perëndimi. Nuk shoh shenja të optimizmit të vjetër sot. Pas dy gotash liker, të përgatitemi për gjërat e këqija që ka për t’i thënë për shejtanët e Evropës akraballëku im i hidhëruar dhe i pakënaqur.

 

(Marrë nga numri i 12 i revistës “Akademia”. Përktheu: Daut Dauti.

Të drejtat e këtij përkthimi, përkthyesi dhe botuesi.

Nuk bën të publikohet në media të tjera pa pëlqimin e përkthyesit ose të botuesit)

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diane Cole shkruan për një ekspozitë që rrëfen historitë e…