Zinedine Zidane po rikthehet

25 tetor 2022 | 11:32

Zinedine Zidane po e planifikon rikthimin në futboll në një të ardhme të afërt.

Trajneri francez u largua nga Real Madridi në maj të vitit 2021, duke e mbyllur eksperiencën e dytë me “Los Blancos”, pasi konsideroi se ishte një shkëputje në mes të tij dhe bordit të klubit.

Sidoqoftë, 50-vjeçari tash është i gatshëm të rikthehet në zejen e trajnerit, derisa këtë e ka thënë në muzeun Grevin në Paris të hënën paradite.

“A më mungon ulësja e trajnerit? Jo, unë nuk jam larg, duhet të presim, të presim edhe pak. Shpejt, shpejt. Nuk jam larg nga puna si trajner”, ka thënë legjenda franceze për “RMC Sport”.

Zidane e ka drejtuar Realin drejt suksesit të trefishtë radhazi në Ligën e Kampionëve në periudhën 2015-2018.

Gjithashtu, ai ka fituar edhe tituj të kampionit në La Liga me klubin spanjoll.

Këtë vit është spekuluar se “Zizou” do ta merrte në dorë Paris Saint-Germainin, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe parisienët e angazhuan trajnerin Christophe Galtier.

Flitet se Zidane mund ta marrë në dorë Kombëtaren e Francës, duke e pasuar Didier Deschampsin.

Ai është lidhur edhe me një angazhim eventual në Manchester United, para se “Djajtë e Kuq” ta merrnin holandezin Erik ten Hag.

Mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës për Zinedine Zidanen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet e…