Zmajeviqit i konfirmohen 14 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

12 dhjetor 2019 | 16:46

Gjykata e Apelit në Mal të Zi ka vërtetuar vendimin me të cilin shtetasi malazez, Vllado Zmajeviq është dënuar me 14 vjet burgim për veprën penale: krime lufte kundër civilëve.

Gjykata e Apelit i ka kundërshtuar të gjitha ankesat e avokatëve mbrojtës të Zmajeviqit, duke mbështetur aktgjykimin e dhënë më parë nga Gjykata e Lartë në Podgoricë.

Zmajeviq, ish-vullnetar dhe pjesëtar i ushtrisë jugosllave është dënuar për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër afër Gjilanit në vitin 1999.

Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit në Podgoricë i kanë pranuar provat në bazë të të cilave Zmajeviq fillimisht ka vrarë një bari sepse ai i është përgjigjur në gjuhën shqipe.

I njëjti më pas ka vrarë edhe dy burra dhe një grua para shtëpisë së tyre.

Gjykatësi i rastit ka thënë se në hetimin e parë Zmajeviq ka pranuar se i ka kryer këto vrasje, por gjatë procedurave gjyqësore i ka mohuar rrëfimet paraprake.

Përfaqësuesi ligjor i familjeve të viktimave, Loro Markiq tha për Shërbimin e Ballkanit të “Radios Evropa e Lirë” se familjet e viktimave besojnë se drejtësia është arritur pjesërisht.

“Familjet e dëmtuara konsiderojnë se ky është një ndëshkim i butë për veprat e kryera, sepse bëhet fjalë për viktima që kanë ushqyer familjet e tyre me bukë”, ka thënë avokati Markiq.

Në luftën e fundit në Kosovë, më 1998/1999 janë vrarë rreth 13 500 persona. Të pagjetur mbeten më shumë se 1 600 persona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lejet për ndërtimin e apo riparimin e banesave që janë…