Zogaj: Ndeshjet e ‘Euro 2024’ ishin të fundit për mua si gjyqtar
Gjyqtari i njohur Bekim Zogaj i ka dhënë fund karrierës së tij si gjyqtar i futbollit për të nisur një rrugëtim të ri në Zvicër, por sërish i lidhur me profesionin e tij. Ai përmes një shkrimi në “Facebook” ka bërë të ditur se do të nis punën si zëvendës shef i gjyqtarëve, dhe shef i asistentëve në futbollin profesional të Zvicrës.
“Çdo gjë ka një fund. Edhe karriera ime si gjyqtar (asistent). Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, ndeshje në ‘Euro 2024’, në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës dhe Ligën e Kombeve edhe ne shumë kampionate tjera. Pas kampionatit Evropian (Euro 2024) Federata Zvicerane me ka ofruar një pozitë si zëvendës shef i gjyqtarëve, dhe shef i asistentëve në futbollin profesional të Zvicrës. Nga data 1 tetor do ta marrë ketë detyrë. Paraqitjet në ‘Euro 2024’ ishin ndeshjen e mija të fundit në arenën ndërkombëtare. Në futbollin zviceran do të vazhdojë deri me 30 shtator. Dua ta falënderoj familjen, Federatën Zvicerane, Sandro Scharer dhe koleget tjerë për përkrahjen e tyre gjatë këtyre 14 viteve në futbollin elitar. Një falënderim edhe për të gjithë ju, që me keni shkruar, respektuar, motivuar dhe kritikuar, edhe këshilluar gjatë këtij rrugëtimi të shkëlqyeshëm”, ka thënë Zogaj.



