ZRrE “kompenson” qytetarët përmes tarifave të reja në prill

19 mars 2024 | 16:26

Reagim i KMDLNj-së

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vërtetuar vendimet e gjykatave tjera duke kërkuar që ZRrE t’ua kompensojë qytetarëve të Kosovës shumën prej 40 milionë eurove që në mënyrë të kundërligjshme ua ka vjedhur në periudhën 2012 – 2017 për t’ua paguar rrymën qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës të cilët asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, që nga përfundimi i luftës, deri më sot. ZRrE e ka pranuar këtë vendim por se nuk është deklaruar për mënyrën e kompensimit. Fillimisht bëhej fjalë për 100 milionë të vjedhura e që me alkiminë e këtij rregullatori zhvatës u zvogëlua në 40 milionë. Qeveria aktuale e Kosovës për këtë vendim e ka zgjedhur gjuhën e peshkut – të heshtjes ndonëse nuk ka lënë pa kritikuar vendimet tjera. KMDLNj ka propozuar që kompensimi të bëhet për tre muaj, të bëhet me para të gatshme duke përfshirë kamatat e rregullta bankare dhe ato ndëshkuese, shkallën e inflacionit dhe ngritjen e çmimeve. Ky kompensim do të mbikëqyrej nga një Komision parlamentar i udhëhequr nga opozita e tashme. Mënyrat tjera të kompensimit përmes faturave në të ardhmen është legjitimim i vjedhjes sikur edhe krijim i mundësive tjera për vjedhje. Ministrja shpërdoruese e ndërlidhur me ZRrE-në Artane Rizvanolli deklaroi se këtë vit nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike edhe ashtu më e shtrenjta në rajon dhe e përafërt me çmimet në vendet e BE – së. Menjëherë pas kësaj deklarate, ZRrE doli me informatë se në mars apo prill të këtij viti do të ketë shqyrtim të tarifave të energjisë elektrike. ZRrE po e bënë punën që më së miri dinë ta bëjë, rrjepjen e lëkurës së konsumatorëve përmes vjedhjes duke fryrë dhe ngritur çmimin e rrymës dhe duke diskriminuar qytetarët në baza etnike. KMDLNj- ë ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të hetojë ZRrE -në për faktin se të gjitha nivelet gjyqësore kanë vërtetuar se qytetarët janë dëmtuar – vjedhur nga ky Rregullator i kriminalizuar për së paku 40 milionë euro. Pas hetimeve, KMDLNj mendon se kjo shifër do të dali shumë më e lartë. Me një qeveri që është aleate e ZRrE, me një Prokurori jovepruese, me një opozitë të rraskapitur fare dhe e ngarkuar me mëkate nga e kaluara për çështjen e vjedhjes përmes faturave të fryra, qytetarët e Kosovës jo që nuk do të zhdëmtohen për dëmet që u janë bërë dhe po ua bënë ky Rregullator i kriminalizuar dhe i veshur me përkrahje politike por këtë keqbërje do ta vazhdojë edhe në të ardhmen. Për KMDLNj është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm mosreagimi i qytetarëve, si gjatë faturave me çmime shumë të larta dhe të papërballueshme muajve të fundit, ashtu edhe me lojën e pingpongut për kompensim si dhe paralajmërim për shtrenjtim të radhës. Qytetarët e Kosovës, në vend se të marrin kredi me kamata shumë të larta për t’i paguar faturat e rrymës, më efektive dhe më pak e kushtueshme do të ishte të protestojnë në numër të madh para ZRrE dhe qeverisë në mënyrë që t’i realizojnë të drejtat e tyre që brutalisht po iu shkelen. Derisa qytetarët të heshtin, loja e pistë e ZRrE do të vazhdojë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fehmi Shaqiri i lindur 05.02.1970, në fshatin Rahovicë, gjate luftës…