ZRrE-së i dorëzohet zyrtarisht kërkesa për shtrenjtim të mëtutjeshëm të faturave të rrymës

12 gusht 2022 | 16:48

Furnizuesi me Shërbim Universal (FShU)ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE) propozimin për tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët që furnizohen nën kushte të shërbimit universal (konsumatorët e rregulluar).

Kështu ka bërë me dije ZRrE-ja me anë të një komunikate për media, duke thënë se “ky propozim vjen si rrjedhojë e kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale nga FShU”.

ZRrE-ja ka treguar se është duke shqyrtuar arsyeshmërinë e propozimit të FShU-së dhe në ditët në vijim do të njoftojë publikun për veprimet që do të ndërmerren nga rregullatori.

Në aplikacionin e dërguar nga Furnizuesi me Shërbim Universal kanë bërë me dije se nuk kanë pranuar para nga subvencioni prej 100 milionë eurosh, i ndarë nga qeveria Kurti për tejkalim të krizës energjetike.

“Furnizuesi me Shërbim Universal (FShU) përmes shkresës zyrtare me dt. 11.02.2022 ka ngritur shqetësimet e veta lidhur me modalitetin e ndarjes së pagesave të këtij subvencioni, por nuk ka marrë përgjigje zyrtare. I përballur me paqartësi, FShU-ja ka komunikuar dhe shkëmbyer shkresa zyrtare me ZRrE-në dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe i njëjti i është përgjigjur të gjitha kërkesave të pranuara nga institucionet përkatëse lidhur me llogaritjen e vlerës së subvencionit për muajt përkatës. Për më tepër, furnizuesi me dt. 5 gusht 2022 ka pranuar edhe shkresën zyrtare nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me konfirmimin e përllogaritjes së subvencionit dhe në po të njëjtën ditë ka dërguar edhe faturën zyrtare për pagesat e muajt shkurt-prill 2022 konform vendimeve të qeverisë dhe në përputhje me miratimin e ATK-së në lidhje me përgatitjen e faturës përkatëse. Megjithatë, deri më sot, FShU-ja nuk ka pranuar asnjë rimbursim dhe njëkohësisht nuk ka marrë ndonjë informatë se kur mund të priten pagesat në fjalë”, është bërë me dije ndër të tjera në aplikacion.

Karshi kërkesave për rritje të mëtutjeshme të faturave të energjisë elektrike nuk ka pasur ende asnjë koment nga qeveria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hera e parë nuk harrohet kurrë. Nëse monogasku Charles Leclerc…