ZRRE të martën vendos për tarifat e reja të rrymës

01 prill 2024 | 23:52

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, nesër pritet të vendos për tarifat e reja të energjisë elektrike. Nga opozita thonë se presin vendim të arsyeshëm, teksa tregojnë se në bazë të informacioneve që kanë do të ketë ulje të çmimit. Nga ZRRE, nuk kanë treguar për propozimet që kanë.

Tarifat e energjisë elektrike të cilat u rritën për 15% vitin e kaluar, nga kjo e diele nuk janë më në fuqi.

Për çmimin e ri që do të jetë për vitin në vazhdim, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë do të mblidhet nesër.

Në rend dite janë tri pika, të cilat edhe pritet ta definojnë çmimin e energjisë. Zyrtarë të ZRRE-së, i kanë thënë televizionit se nuk mund të bëjnë të ditura propozimet për tarifat e energjisë, duke thënë se të njëjtat do të kuptohen gjatë mbledhjes të së martës.

Megjithëkëtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala, thotë se mund të ketë ulje të çmimit.

Ferat Shala – Deputet i PDK-së ka deklaruar “Në parim mbështetur në të gjithë parametrat që janë zhvilluar deri më tani, dhe në atë çka kemi parë ne konsiderojmë që bordi i ZRRE-së, do të merr vendim të arsyeshëm, vendim meritor dhe në bazë të informacioneve që kemi ngritje nuk do të ketë, mund të ketë një zbritje ose një ulje të butë të çmimit të energjisë, si rezultat i asaj që janë vlerësuar në kontinuitet gjatë vitit të lamë.”

Deputeti Shala kritikon qasjen e ZRRE-së duke thënë se institucioni do të duhej të ishte më transparent në lidhje me propozimet që ka për çmimin e energjisë.

Të njëjtën e thotë edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili pret që vendimi i këtij institucioni të jetë i bazuar në hulumtim të detajuar.

Safet Gerxhaliu – Ekonomist shtoi se “Duhet të ketë analizë të mirëfilltë dhe veprime të matura, çdo ngritje e çmimit eventual të energjisë elektrike në Kosovë, do të dëmtojë në aspektin ekonomik, do të rëndojë më tepër aspektin social mirëpo me kalimin e kohës, kjo po merr edhe përmasa politike, kur dihet fare mire se në veri, nuk ka qartësi dhe transparencë.”

Sipas Gërxhaliut, nëse qytetarët përballen edhe me një rritje të energjisë, kostoja do të jetë e papërballueshme.

Safet Gerxhaliu – Ekonomist  deklaroi se “Po shfrytëzohen monopole, po shfrytëzohen çmime të cilat po ngriten me shpejtësi, por nuk po vijnë në stadin fillestar, në qoftë se ndodhë kjo edhe me energjinë elektrike që të kemi rritje eventuale, ndërsa pagat i kemi të palëvizura, qoftë në sektorin privat, apo në administratën publike, kjo është diçka që do të rëndojë edhe më tepër jetesën në Kosovë.”

Çmimi i energjisë elektrike u rrit jashtëzakonisht shumë në prill të vitit të kaluar, rritje që u vërejt e kritikua sidomos në muajt e dimrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të martën në ora 11:00, Kuvendi Komunal i Prizrenit, pritet…