Zyra e Auditorit: Institucionet publike kanë krijuar shpenzime të panevojshme në fushën e TIK-ut

26 maj 2020 | 16:28

Mungesa e organizimit dhe koordinimit mes institucioneve publike ka mundësuar zhvillimin e projekteve paralele në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe ka krijuar shpenzime të panevojshme. Kështu thuhet në raportin “Organizimi dhe menaxhimi i investimeve të teknologjisë së informacionit në institucionet publike“, prezantuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Po ashtu sipas këtij raporti, për tri vite janë shpenzuar rreth 49 milionë euro në këtë fushë. Në auditim janë përfshirë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, ajo e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrimit Civil, si dhe Komuna e Pejës dhe ajo Prizrenit. “Institucionet e Kosovës, gjatë periudhës 2015-2018, kanë shpenzuar rreth 49 milionë euro në teknologji të informacionit, mirëpo rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet e audituara nuk kanë arritur të sigurojnë qeverisje të mirë në këtë fushë. Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të miratoj Strategjinë e Qeverisjes Elektronike e cila është hartuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit. Në mungesë të saj, qeveria nuk ka një plan të prioriteteve për investime në fushën e TIK-së”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, pasi që menaxhimi i shërbimeve të teknologjisë së informacionit në sektorin publik është i decentralizuar, në nivel të institucioneve apo departamenteve brenda institucionit, ka dyfishim të roleve si dhe këto njësi nuk kanë bashkëpunim mes veti që ka rezultuar me investime të panevojshme. “Nuk ka regjistër të projekteve të TI-së, si në nivel shtetëror apo në nivel të organizatave buxhetore. Mungesa e regjistrit të plotë të shpenzimeve e pamundëson identifikimin e saktë të gjendjes ekzistuese”, thuhet tutje në njoftimi.

Me qëllim të adresimit të çështjeve të ngritura, Zyra Kombëtare e Auditimit, në këtë raport ka dhënë 17 rekomandime për institucionet përgjegjëse . (A. M / Epoka e re).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka…