Zyra e kryeministrit tregon se çfarë është biseduar në takimin Kurti – Rama

27 shtator 2021 | 14:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën me ceremoni shtetërore, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Rama kishte vizitën e parë zyrtare në Kosovë, pas marrjes së mandatit të tretë si kryeministër i Shqipërisë.

Zyra e kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar se çfarë është biseduar në takimin Kurti – Rama dhe ministrave të të dyja qeverive.

“Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave dhe anëtarëve të kabineteve  u theksua për mundësitë dhe potencialin për rritje të bashkëpunimit për më shumë drejtësi, barazi e mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në të gjithë rajonin. U bisedua për hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve. Janë rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, të nënshkruara nga viti 2014, në mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive. U dakorduan për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilin do ta udhëheqë  Gentian Sala”, ka njoftuar zyra e kryeministrit

Më tutje, është bërë me dije se Kurti dhe Rama kanë biseduar për projekte që ua lehtësojnë qarkullimin qytetarëve.

“U diskutuan hapa konkret për projekte të përbashkëta të cilat lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve, për lehtësira doganore dhe lehtësira në kalimin e pikave kufitare si dhe shfrytëzimit të objekteve të përbashkëta për konsullata e ambasada”, është thënë në këtë njoftim.

Po ashtu, zyra e kryeministrit ka bërë me dije se në këtë takim Kurti dhe Rama janë pajtuar që të fillohet me përgatitjet e dy kabineteve për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, që pritet të mbahet në fund të muajit nëntor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aplikacioni për mesazhe “Signal”, ka thënë më 27 shtator se,…