Fitojnë Unitedi dhe Arsenali

08 dhjetor 18:05

Manchester United ka marrë zemër nga barazimi me Arsenal tre ditë më parë duke grumbulluar tre pikët ndaj Fulham në Old Trafford. Të besuarit e Jose Mourinho-s kanë mposhtur ekipin e ardhur nga Championship me rezultatin 4-1 në Old Trafford. Me këtë fitore, United ngjitet në vend të gjashtë dhe i rriten shpresat për një vend mes katër më të mirëve. Djajtë e nisën mirë ndeshjen dhe gjejnë golin e avantazhit në minutën e 13’ falë golit të Ashley Young. Veterani anglez ka lëshuar një të djathtë të përsosur në hyrje të zonës duke mposhtur portierin Rico. Në minutën e 28’ erdhi goli i dytë i vendasve me Juan Mata, i cili ka shënuar golin e 50-të në Premier League me një goditje të bukur nga brenda zonës.

Pak minuta përpara se të përfundonte pjesa e parë, ishte Romelu Lukaku ai që u zhbllokua, duke shënuar golin e parë në Old Trafford pas 997 minutave. Mourinho duket i kënaqur me të tijtë nga stoli, por pjesa e dytë ishte më e dobët dhe Fulham arrin të shënojë nga pika e bardhë e penalltisë me Kamara në minutën e 67’. Gjithsesi, vetëm dy minuta më pas Andre-Frank sheh kartonin e dytë të verdhë për miqtë dhe duhet të dalë nga loja. Në minutën e 83’ erdhi goli i merituar i Marcus Rashford. Talenti anglez ka goditur nga një pozicion i pamundur duke kapur në befasi portierin kundërshtar.

Ndërkohë Arsenal ka vuajtur jashtë mase ndaj Huddersfield, por gjithsesi ka marrë fitoren në fund të takimit teksa rezultati përfundimtar është 1-0. Topçinjtë kanë shfaqur lodhjen e akumuluar pas dy sfidave të vështira ndaj Tottenham dhe Manchester United. Skuadra e Emery kishte mundësi shënimi, por nuk arriti t’i shfrytëzonte teksa dyshja Aubameyang dhe Lacazette nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. kur dukej sikur Arsenal do të dilte pa tre pikët nga kjo ndeshje, ishte goli fantastik i Torreira-s ai që vendosi takimin në favor të vendasve në Emirates. Ai është gjendur i vetëm brenda zonës pas pasimit të Aubameyang, duke shënuar me një roveshiatë të bukur. Arsenal ngjitet në vend të katërt.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
San Antonio mori revanshin ndaj Los Angeles Lakers në sfidën…