BQK-ja nis aktivitetet e mbështetura nga BE-ja për themelimin e Sistemit të Kosovës për Monitorimin e Falsifikimit të Parasë
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programin e Bashkimit Evropian për Çështjet e Brendshme (Home Affairs Programme – HAPE), organizoi një takim të përbashkët koordinues për të diskutuar themelimin e Sistemit për Parandalimin dhe Luftimin e Falsifikimit të Parasë në Kosovë.
Projekti synon të mbështesë Republikën e Kosovës në krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës kombëtar për parandalimin, zbulimin, monitorimin dhe luftimin e falsifikimit të parasë, plotësisht të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Eurosistemit.
Ky projekt ndërtohet mbi rezultatet e asistencës teknike të ofruar më herët përmes instrumentit TAIEX të Bashkimit Evropian, i cili u zbatua në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Kombëtare të Kroacisë.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi është hartuar Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Falsifikimit të Parasë, i cili përcakton kornizën institucionale për funksionimin e sistemit, përgjegjësitë e institucioneve përkatëse, si dhe themelimin e Sistemit të Kosovës për Monitorimin e Falsifikimit të Parasë.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan objektivat e projektit, metodologjinë e zbatimit dhe fazën e parë të aktiviteteve, e cila përfshin një vlerësim të gjithanshëm të kapaciteteve ligjore, institucionale dhe teknike të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Dardan Fusha, theksoi se ruajtja e integritetit të euros që qarkullon në Republikën e Kosovës përbën një përgjegjësi të rëndësishme kombëtare dhe, njëkohësisht, kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të sistemit monetar dhe financiar.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shprehu mirënjohjen e saj ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe ndaj të gjitha institucioneve pjesëmarrëse për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në zbatimin e kësaj nisme me rëndësi strategjike, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.



