Homologët ndërkombëtarë urojnë auditoren e përgjithshme, Vlora Spanca, për marrjen e mandatit të dytë
Rizgjedhja e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, është përcjellë me urime nga Auditorët e Përgjithshëm nga vende të ndryshme.
Në mesazhet e urimit homologët ndërkombëtarë kanë shprehur përgëzimet e tyre për rizgjedhjen e Spancës, duke vlerësuar se mandati i saj i dytë është pasqyrim i punës dhe angazhimit në avancimin e auditimit publik dhe forcimin e llogaridhënies dhe transparencës.
Urimet pasqyrojnë marrëdhëniet profesionale dhe bashkëpunimin ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e auditimit publik.
Drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit vlerësuan se nën udhëheqjen e Spancës, ZKA-ja do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë dhe standardet e larta profesionale si dhe mirëpresin angazhimin e saj për forcimin e bashkëpunimit brenda komunitetit ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit për avancimin e objektivave të përbashkëta profesionale.
Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka pranuar letër urimi nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shqipërisë, Arben Shehu, auditorja e përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, kryetari i Gjykatës Turke të Llogarive, Metin Yener, auditori i përgjithshëm i Maltës, Charles Deguara, auditori i përgjithshëm i Finlandës, Sami Yläoutinen, auditori i përgjithshëm i Bahrain, Ahmed Bin Mohammed Al-Khalifa, auditorja e përgjithshme e Belizes, Maria Rodriguez, auditorja e përgjithshme e Kanadasë, Karen Hogan, kryetari i Autoritetit Shtetëror të Auditimit Financiar dhe Administrativ të Omanit, H.E Sheikh Ghuson bin Hilal Al Alawi, presidenti i Institucionit Suprem të Auditimit të Çekisë, Miloslav Kala, auditori i përgjithshëm i Afrikës së Jugut, Tsakani Maluleka, kryetarja e Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Jana Ahcin, auditori i përgjithshëm i Estonisë, Janar Holm, presidentja e Gjykatës Portugeze të Auditorëve, Filipa Urbano Calvão, presidenti i Gjykatës Federale të Llogarive të Brazilit, Minister Vital do Rêgo si dhe drejtori i përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t, Einar Gørrissen.



