Përmbyllet Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës

18 korrik 2026 | 17:26

Në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës u zhvillua ceremonia përmbyllëse e edicionit të 26-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës (PISU).

Ceremonia, nisi me fjalën përshëndetëse të rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu.

Rektori Hajrullahu falënderoi profesorët dhe studentët ndërkombëtarë e vendas, të cilët me punën, përkushtimin dhe energjinë e tyre e bëjnë të mundur organizimin e përvitshëm të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ai tregoi se, gjatë karrierës së tij mbi 20-vjeçare si profesor, tri herë kishte pasur kënaqësinë të zhvillonte ligjërata të përbashkëta me profesorë ndërkombëtarë dhe se secila prej këtyre përvojave kishte qenë më e veçantë se tjetra.

Në emër të profesorëve që erdhën nga vende të ndryshme të botës, të pranishmit i përshëndeti prof. Alain Riveros-Rivera nga Pontificia Universidad Javeriana në Kolumbi.

Duke iu referuar fushës së tij të specializimit dhe kursit për kronobiologjinë dhe mjekësinë e gjumit, të cilin e zhvilloi në Universitetin Veror, ai e përshkroi UP-në jo thjesht si një vend ku informacioni bartet nga profesori te studenti, por si një organizëm të gjallë, të ndërtuar mbi kureshtjen, dialogun dhe bashkëpunimin.

Në emër të profesorëve të UP-së foli profesoresha e Fakultetit të Ekonomisë, Mjellma Carabregu-Vokshi.

Ajo e cilësoi Universitetin Veror si shumë më tepër se një program universitar, ndërsa studentët pjesëmarrës si arsyen kryesore të ekzistencës së tij.

Gjatë ceremonisë përmbyllëse folën edhe studenti nga diaspora, Arsim Krasniqi, studenti nga University of Kansas, Solomon Keim, si dhe studentja e Universitetit të Prishtinës, Rela Çelaj, të cilët ndanë përvojat dhe përshtypjet e tyre nga ky edicion.

Në fund të ceremonisë, rektori i UP-së, prof. Arben Hajrullahu, u ndau profesorëve ndërkombëtarë dhe profesorëve të UP-së certifikatat e pjesëmarrjes në UVNP.

Në edicionin e sivjetmë të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës morën pjesë rreth 350 studentë vendas dhe ndërkombëtarë.

U zhvilluan 19 kurse të bashkëdrejtuara nga profesorë ndërkombëtarë dhe profesorë të UP-së, si dhe 12 punëtori.

Në kuadër të tyre u trajtuan tema nga inteligjenca artificiale, teknologjia financiare, antropologjia, mjekësia e gjumit, shkencat forenzike dhe fusha të tjera.

Universiteti Veror shënoi edhe 250-vjetorin e pavarësisë së ShBA-së, solli diskutime për demokracinë dhe të drejtat e grave, si dhe vazhdoi traditën e festivalit të filmit të shkurtër UPWard, ku studentët e Fakultetit të Arteve dhe studentët ndërkombëtarë shfaqën filmat e tyre.

Studentët e këtij edicioni patën mundësi të dëshmonin edhe shkathtësitë e tyre sportive, si dhe të vizitonin vende historike, të njihnin trashëgiminë kulturore dhe të shijonin bukuritë natyrore të Kosovës.

Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës është një nga platformat dhe ngjarjet më të rëndësishme për ndërkombëtarizimin, rrjetëzimin dhe shtrirjen globale të UP-së.

Përmes tij fuqizohet dhe jetësohet një nga prioritetet kryesore të Universitetit: sjellja e sa më shumë studentëve dhe profesorëve ndërkombëtarë në Prishtinë.

Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës mbetet një nga kartolinat më të bukura akademike që Kosova i dërgon botës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas raportimit të rastit në Obiliq, Inspektorët e Inspektoratit Qendror…