16-vjetori i opinionit të GjND-së, Hamza: Kosova po përballet me procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së dhe ngecjen e njohjeve

22 korrik 2026 | 15:42

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka përkujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në “Facebook”, Hamza e ka cilësuar vendimin e GjND-së si një ditë historike për Kosovën dhe një fitore që, sipas tij, forcoi legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit.

Ai ka theksuar se vendimi i GJND-së ka rikonfirmuar se rruga e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë ishte në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Megjithatë, Hamza ka shprehur shqetësim për situatën aktuale në Kosovë, duke përmendur procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të shtetit, ngecjen e procesit të njohjeve të reja, vështirësitë në integrimin ndërkombëtar dhe, siç ka thënë ai, përkeqësimin e raporteve me aleatët.

“Sot u bënë 16 vjet nga Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ishte një ditë historike për vendin tonë dhe një fitore e madhe që forcoi legjitimitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Ky vendim rikonfirmoi se rruga jonë drejt lirisë dhe pavarësisë ishte e drejtë dhe në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Kosova po përballet me një realitet shqetësues: procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të shtetit, ngecjen në procesin e njohjeve të reja, vështirësitë në integrimin ndërkombëtar dhe përkeqësimin e raporteve me aleatët tanë. Vendit tonë i nevojitet një lidership që ndërton dhe forcon aleancat, mbron interesat shtetërore dhe sjell rezultate konkrete për qytetarët tanë. Obligimi ynë është ta mbrojmë dhe ta fuqizojmë shtetin tonë për brezat që sot dhe nesër do të jetojnë në të”, ka shkruar Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kujtuar përvjetorin…