FC Alba Augsburg, ura që bashkon mërgatën shqiptare në Gjermani përmes sportit, kulturës dhe solidaritetit

23 korrik 2026 | 16:50

I themeluar në vitin 2014 me iniciativën e veprimtarit të çështjes kombëtare dhe afaristit Lulzim Morina, FC Alba Augsburg ka evoluar nga një klub i vogël futbolli në një nga organizimet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Bavari. Sot, FC Alba drejtohet nga kryetari Haki Gashi i cili jep angazhimin e tij prej më shumë se dhjetë vjetësh në klubin që numëron mbi 300 anëtarë aktivë dhe gëzon mbështetjen e më shumë se 80 kompanive nga mbarë Bavaria, duke u shndërruar në një qendër të sportit, kulturës, integrimit dhe solidaritetit për mërgatën shqiptare. Nënkryetari i klubit, Nexhmi Sokoli, ka deklaruar për “Epoka e re” se misioni i FC Alba Augsburg shkon përtej futbollit. “Përveç ekipeve të futbollit, FC Alba angazhohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Në qendër të veprimtarisë sonë janë integrimi, shkëmbimi kulturor dhe forcimi i bashkëjetesës në shoqëri. Krahas sportit, kemi themeluar edhe një grup kulturor dhe një forum të grave, të cilat pasurojnë jetën e klubit dhe nxisin dialogun ndërkulturor”, ka thënë Sokoli.

Sipas tij, mbështetja e madhe që klubi merr nga bizneset shqiptare në Bavari ka rëndësi jo vetëm për zhvillimin e FC Alba Augsburg, por edhe për komunitetin dhe ekonominë lokale. “Sipërmarrësit dhe bizneset që mbështesin klubin japin një kontribut të çmuar jo vetëm për FC Alba, por edhe për qytetin e Augsburgut dhe mbarë Bavarinë. Ata krijojnë vende pune, marrin përgjegjësi shoqërore dhe forcojnë zhvillimin ekonomik e solidaritetin social”, është shprehur ai. Përtej aktiviteteve sportive, hapësirat e klubit janë shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm të mërgatës shqiptare në Augsburg. Aty organizohen aktivitete kulturore, tubime komunitare dhe iniciativa humanitare, duke mbajtur gjallë frymën kombëtare dhe duke promovuar unitetin e shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, fetare apo krahinore.

Ditë më parë, përfaqësuesi i “Epokës së re”, Sadik Zeqiri, vizitoi FC Alba Augsburg, ku u prit nga afaristi Lan Gacaferi dhe bashkatdhetarë të tjerë. Gjatë vizitës, ai u njoh nga afër me aktivitetet e klubit, angazhimin e diasporës në fushën e sportit dhe kulturës, si dhe me iniciativat humanitare që shqiptarët e këtij komuniteti zhvillojnë në ndihmë të familjeve dhe qytetarëve në nevojë. Klubi vizitohet shpesh edhe nga përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ndër ta është edhe Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Mynih, me konsullin Afrim Nura dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga FC Alba Augsburg.

Duke folur për planet e së ardhmes, Sokoli ka falënderuar të gjithë anëtarët, sponsorët dhe mbështetësit e klubit, duke theksuar se synimi është zgjerimi i mëtejshëm i aktiviteteve. “Qëllimi ynë është ta zhvillojmë vazhdimisht klubin dhe të japim një kontribut të rëndësishëm në sport, kulturë, integrim dhe diversitet në Augsburg. Ne dëshirojmë t’u ofrojmë fëmijëve dhe të rinjve një mundësi të shëndetshme për ta kaluar kohën e lirë në një komunitet pozitiv, ku kultivohen respekti, fryma ekipore dhe solidariteti”, ka deklaruar ai. Në fund, Sokoli theksoi se FC Alba Augsburg e sheh veten si një urë lidhëse mes vendeve të Evropës Juglindore dhe Gjermanisë. “Ne e konsiderojmë veten një urë lidhëse ndërmjet Evropës Jugore dhe asaj Veriore. Promovojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërmjet Gjermanisë, Kosovës dhe Shqipërisë, me synimin për të forcuar marrëdhëniet kulturore, shoqërore dhe ekonomike.” Sot, FC Alba Augsburg nuk përfaqëson vetëm një klub futbolli. Ai është kthyer në një institucion komunitar që bashkon shqiptarët në mërgatë, promovon vlerat e sportit, kulturës dhe humanizmit, duke dëshmuar se uniteti, respekti dhe bashkëjetesa janë themeli mbi të cilin ndërtohet një komunitet i fortë dhe i suksesshëm.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Gazment Bardhi, është përjashtuar…