Miratohet projekt-rregullorja për rekrutimin e zjarrfikësve
Qeveria në detyrë ka miratuar projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikësit, e cila synon standardizimin e procesit të përzgjedhjes dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të njësive të zjarrfikjes dhe shpëtimit në vend.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se projekt-rregullorja është në përputhje me prioritetet e Planit Kombëtar për Zhvillim 2026–2028.
“Ka propozuar për shqyrtim dhe miratim projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikës, e cila standardizon procesin e përzgjedhjes dhe forcon kapacitetet profesionale të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe të shpëtimit, në përputhje me prioritetet e Planit Kombëtar për Zhvillim 2026–2028”, ka deklaruar Kurti.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se projekt-rregullorja është hartuar në kuadër të planit të akteve nënligjore për vitin 2026 dhe synon krijimin e një sistemi të unifikuar, transparent dhe të bazuar në meritë për rekrutimin e zjarrfikësve.
“Ministria e Punëve të Brendshme, sipas planit të akteve nënligjore për vitin 2026, ka hartuar projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikës në Republikën e Kosovës. Shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit paraqet një ndër komponentët më të rëndësishëm të sistemit të sigurisë publike dhe menaxhimit të emergjencave në Republikën e Kosovës. Funksionimi efikas i këtij shërbimi varet drejtpërdrejt nga disponueshmëria e personelit profesional, të trajnuar dhe të përgatitur për t’iu përgjigjur rreziqeve dhe situatave emergjente”, ka theksuar Sveçla.
Ai ka shtuar se projekt-rregullorja përcakton procedurat, kriteret standarde dhe përgjegjësitë institucionale për rekrutimin e zjarrfikësve, në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“Kjo rregullore synon të sigurojë që procesi i rekrutimit të zhvillohet në përputhje me parimet e ligjshmërisë, profesionalizmit, transparencës dhe mundësive të barabarta, duke mundësuar përzgjedhjen e kandidatëve më të përgatitur për ushtrimin e detyrave me rëndësi jetike për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit”, ka theksuar ministri në detyrë.
Sveçla ka vlerësuar se forcimi i kapaciteteve njerëzore në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit është veçanërisht i rëndësishëm në prag të sezonit të verës, kur rreziku nga zjarret rritet ndjeshëm.



