Haradinaj pas takimit me admiralin e NATO-s: Anëtarësimi i Kosovës përmbyll sigurinë e rajonit
Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë pritur në takim admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.
“Në Deçan, nën përkujdesjen e kryetarit Bashkim Ramosaj, patëm kënaqësinë të mirëpresim admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli. Shprehëm mirënjohjen tonë për angazhimin personal të admiralit Wikoff dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe forcat e NATO-s japin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë. Liria jonë është vlera kulmore që e arritëm së bashku me aleatët tanë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e NATO-s. Lidhja jonë me ta mbetet e përhershme, ashtu si edhe aspirata jonë që të jemi pjesë e kësaj aleance”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, duke theksuar rëndësinë e tij për sigurinë në rajon.
“Anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO e përmbyll sigurinë e rajonit”, ka deklaruar Haradinaj.



