BE-ja: Zbardhja e fatit të të zhdukurve mbetet element kyç i dialogut
30 korrik 2026| 16:48
BE-ja ka bërë të ditur se zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbetet një element shumë i rëndësishëm i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka konfirmuar se më 28 korrik ekspertët forenzikë të Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it kanë asistuar kolegët e tyre nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës në vlerësimin e një lokacioni në Zubin Potok, ku dyshohet për një varr të pashënuar me persona të zhdukur.
“EULEX-i nuk zhvillon asnjë lloj hetimi penal, pasi kjo është në kompetencë të autoriteteve të Kosovës”, ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Ai ka theksuar se Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur, i themeluar në kuadër të dialogut dhe në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023, ka për qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj deklarate, ndihmën në sqarimin e fatit të personave që ende rezultojnë të zhdukur dhe ofrimin e përgjigjeve për familjet e tyre.
“Ndihma për të zbardhur fatin e personave që ende rezultojnë të zhdukur nga konflikti mbetet një element shumë i rëndësishëm i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, është shprehur zëdhënësi.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar gjithashtu se ka ofruar financim për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës në mbështetje të këtyre përpjekjeve. /RTK