Dogana konfiskon rreth 13 mijë euro të padeklaruara në Bërnjak
Dogana e Kosovës ka konfiskuar përkohësisht rreth 13 mijë euro mjete monetare të padeklaruara në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrolleve është zbuluar shuma e parave, e cila nuk ishte deklaruar, në kundërshtim me detyrimin ligjor për deklarimin e mjeteve monetare mbi pragun prej 10 mijë eurosh.
Rasti është zbuluar gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, kur një shtetas i huaj është intervistuar nga zyrtari doganor lidhur me posedimin e mjeteve monetare apo mallrave që kishte për të deklaruar. I njëjti ka deklaruar se nuk kishte mjete monetare apo mallra për të deklaruar.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se për rastin janë ndërmarrë procedurat administrative të parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa paratë janë ndaluar dhe konfiskuar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave për verifikimin dhe dokumentimin e prejardhjes së tyre.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e qarkullimit të mjeteve monetare të padeklaruara dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë së kundërligjshme në kufi”, është thënë në njoftim.
Dogana ka shtuar se përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi, synon të kontribuojë në mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, si dhe në garantimin e sigurisë dhe integritetit të kufirit doganor.



