Pas tërheqjes së Sejdiut, VV-ja nuk flet për kandidat tjetër, thotë se Kosova u bllokua sërish

14 shtator 2026 | 23:01

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur keqardhjen për tërheqjen e Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, kjo parti thotë se Sejdiu ishte kandidat i përbashkët, i dalë nga marrëveshja ndërmjet VV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Marrëveshja u arrit pas bisedimeve politike dhe me vullnetin për t’i dhënë vendit një zgjidhje. Kandidatura e tij krijoi mundësinë që zgjedhja e Presidentit të përmbyllej në Kuvend dhe Kosova të mos hynte sërish në një periudhë pasigurie institucionale”, thuhet në deklaratën e LVV-së.

Tutje, VV-ja thotë se një pjesë e deputetëve të LDK-së dolën kundër kësaj candidature, ndërsa, siç thotë, PDK dhe Aleanca u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, thuhet në postim.

Postimi:

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh keqardhjen për tërheqjen e profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.

Bekim Sejdiu ishte kandidat i përbashkët, i dalë nga marrëveshja ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Marrëveshja u arrit pas bisedimeve politike dhe me vullnetin për t’i dhënë vendit një zgjidhje. Kandidatura e tij krijoi mundësinë që zgjedhja e Presidentit të përmbyllej në Kuvend dhe Kosova të mos hynte sërish në një periudhë pasigurie institucionale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i qëndroi kësaj marrëveshjeje dhe kandidatit të përbashkët deri në fund.

Fatkeqësisht, pas arritjes së marrëveshjes, një pjesë e deputetëve të LDK-së doli kundër kandidaturës së miratuar edhe nga partia e tyre. Ndërsa PDK-ja dhe Aleanca u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Kështu u krijuan rrethanat që e pamundësuan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend.

Në këto rrethana erdhi edhe vendimi i profesorit Sejdiu për t’u tërhequr.

Për muaj me radhë u kërkua dialog, kompromis dhe marrëveshje. Dialogu u zhvillua, kompromisi u bë, marrëveshja u arrit dhe kandidati i përbashkët u gjet. Kur erdhi koha që marrëveshja të merrte votën e Kuvendit, nisi pengimi dhe goditja e saj.

Kuvendi është vendi ku dallimet politike shprehen me votë. Mund të votosh për, mund të votosh kundër. Por kur mospjesëmarrja përdoret për ta pamundësuar votimin, atëherë nuk kemi më dallim politik rreth një kandidati, por pengim të vetë procesit kushtetues dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura.

E falënderojmë profesor Bekim Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar gjatë këtij procesi.

Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën…