Zemaj pas Kuvendit të LDK-së: Vendimi i delegatëve duhet të respektohet
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendin e kësaj partie, duke thënë se vendimi i marrë nga delegatët duhet të respektohet.
Përmes një postimi në “Facebook”, Zemaj ka thënë se 51 për qind e delegatëve të pranishëm kanë votuar në favor të vazhdimit të mandatit të kryetarit aktual të partisë.
“Dje, për LDK-në, vendosi anëtarësia. 51 për qind e delegatëve prezentë u shprehën në favor të vazhdimit të mandatit të kryetarit aktual. Ky është vendimi politik që duhet respektuar”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka shtuar se LDK-ja mbetet, sipas tij, një subjekt ku anëtarësia vendos përmes votës së saj, ndërsa ka bërë thirrje për angazhim në forcimin e mëtejshëm të partisë.
“Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë një Kosove të fortë. Përkushtimin për ringritjen e LDK-së e kemi obligim të gjithë”, ka shkruar Zemaj.



