Aksident fatal në Muhovc të Ferizajt, një person humb jetën
Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në fshatin Muhovc të Ferizajt.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Veseli ka bërë të ditur se Policia ka pranuar informatën për aksidentin rreth orës 16:30, ku një person kishte pësuar lëndime të rënda.
Sipas tij, në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona.
Si pasojë e aksidentit, njëri nga personat ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të stacionit policor dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Emergjenca e Ferizajt”, ka deklaruar Veseli.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet e trafikut kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e rastit.
Policia ka bërë të ditur se për detaje të tjera lidhur me rastin do të njoftojë përmes raportit vijues.



