‘Bllokada e qëllimshme nga LV-ja’, Zemaj kritikon heshtjen e LDK-së

12 gusht 2026 | 14:59

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar se bllokada institucionale po bëhet qëllimisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Bllokada e qëllimshme sjell tension, dëmton edhe më shumë imazhin e brishtë të Kosovës dhe thellon polarizimin në shoqërinë tonë”, ka shkruar Zemaj në “Facebook”.

Ai ka deklaruar se shumica duhet ta thërrasë seancën dhe t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja, në respektim të Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëve.

“Marrëveshjet politike nuk arrihen përmes bllokadës, presionit dhe tendencës për t’i nënshtruar të tjerët”, ka shkruar ai.

Zemaj ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, heshtin dhe e pranojnë këtë qasje. “Nuk ia duan të mirën as LDK-së e më së paku Kosovës”, ka deklaruar ai.

Postimi i plotë:

Bllokada e qëllimshme nga LV.

Bllokada e qëllimshme sjell tension, dëmton edhe më shumë imazhin e brishtë të Kosovës dhe thellon polarizimin në shoqërinë tonë.

Ky mentalitet i stërvjetëruar nuk i duhet Kosovës. Shumica e ka obligim të thërrasë seancën dhe t’i japë hapësirë krijimit të institucioneve të reja, në respekt të Kushtetutës dhe vullnetit politik të qytetarëve.

Marrëveshjet politike nuk arrihen përmes bllokadës, presionit dhe tendencës për t’i nënshtruar të tjerët. Demokracia kërkon dialog, përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë.

Ata që heshtin dhe pranojnë këtë lloj politike, nuk ia duan të mirën as LDK-së e më së paku Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka bërë thirrje LV-së…