Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare “Shpella e Radavcit”
Posta e Kosovës lëshon sot në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Shpella e Radavcit”, kushtuar një prej monumenteve më të veçanta të trashëgimisë natyrore të Kosovës.
Shpella e Radavcit përfaqëson një vlerë të rëndësishme të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit. E mbrojtur si monument natyror që nga viti 1983, ajo së bashku me Burimin e Drinit të Bardhë shtrihet në një sipërfaqe prej 89.94 hektarësh dhe përbën një nga komplekset më të veçanta natyrore të Kosovës.
E vendosur pranë fshatit Radavc, rreth 11 kilometra nga Peja, në pjesën verilindore të Bjeshkëve të Nemuna, Shpella e Radavcit është një nga destinacionet e rëndësishme të turizmit natyror në Kosovë. Veçantia e saj natyrore dhe vlera turistike e bëjnë atë një simbol të bukurisë dhe pasurisë së peizazhit natyror të vendit.
Përmes emisionit filatelik “Shpella e Radavcit”, Posta e Kosovës synon të kontribuojë në promovimin dhe dokumentimin e vlerave natyrore të Kosovës, duke i sjellë ato përmes filatelisë në vëmendjen e publikut vendor dhe ndërkombëtar.
Pullat postare, përveç funksionit të tyre në komunikimin postar, përbëjnë edhe një mënyrë të veçantë për të ruajtur, dokumentuar dhe promovuar trashëgiminë, historinë, kulturën dhe bukuritë natyrore të vendit.
Posta e Kosovës i fton koleksionistët, institucionet, bizneset dhe të gjithë qytetarët që ta bëjnë pjesë të koleksioneve dhe komunikimit të tyre këtë emision të veçantë filatelik, i cili i kushtohet një prej monumenteve më të çmuara natyrore të Kosovës.



