Qeveria në detyrë ilegalisht merr një varg vendimesh, ndan edhe 100 mijë euro për DokuFestin
Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e 32-të, në mënyrë elektronike, duke miratuar një varg vendimesh, përfshirë ato që lidhen me pozita të larta drejtuese, shpronësime dhe ndarje të mjeteve financiare.
Mbledhja dhe vendimmarrja vijnë në kohën kur anëtarë të kabinetit qeveritar janë betuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa çështja e ushtrimit njëkohësisht të funksioneve qeveritare dhe mandatit të deputetit është trajtuar edhe nga Gjykata Supreme.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar emërimin e komisioneve të pranimit për një numër të madh pozitash të larta drejtuese në institucione dhe agjenci shtetërore. Po ashtu, janë miratuar vendime që hapin rrugë për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimeve për Zonën Ekonomike për Mërgimtarët në Shtime dhe për ndërtimin e një objekti administrativ për Ministrinë e Punëve të Brendshme në Prishtinë.
Qeveria ka ndarë gjithashtu 100 mijë euro për mbështetjen e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.
Në njoftimin për mbledhjen, Qeveria vazhdon ta cilësojë kabinetin si “Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës”.



