Rrahje për fëmijët në Han të Elezit: Sherif Ramuka dhe dy familjarë dyshohet se sulmuan ish-mikun e tyre F.Z. nga Gjilani
Një konflikt familjar lidhur me marrjen e fëmijëve ka eskaluar në një incident serioz të dielën mbrëma në Han të Elezit, ku një person me inicialet F.Z. nga Gjilani dyshohet se është sulmuar nga tre burra. Fillimisht, dyshohet se është goditur vetura e tij. Sinjali mëson se për këtë rast dyshohen Endrit Ramuka, rreth 21-vjeç, Shemsedin Ramuka, rreth 43-vjeç, dhe Sherif Ramuka, ndërsa i dëmtuar është F.Z, rreth 55-vjeç, nga Gjilani. Ngjarja ka ndodhur më 9 gusht, rreth orës 19:55, në rrugën “Isen Suma”.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Epoka e re”, F.Z kishte shkuar në Han të Elezit për t’i marrë fëmijët e djalit të tij, i cili ishte divorcuar rreth një vit më parë nga vajza e familjes Ramuka. Kujdestaria e fëmijëve i ishte besuar nënës, ndërsa, sipas raportit, prindërit kishin një marrëveshje që fëmijët, kohë pas kohe, ta takonin edhe babanë. Megjithatë, ardhja e F.Z, te shtëpia e familjes Ramuka dyshohet se ka përfunduar me përplasje. Sipas të dhënave të rastit, rruga dyshohet se i është bllokuar me një veturë, ndërsa më pas F.Z dyshohet se është sulmuar fizikisht nga tre të dyshuarit, duke pësuar lëndime trupore.
Gjatë incidentit, sipas raportit të policisë, Endrit Ramuka dyshohet se e ka goditur me veturë edhe automjetin e viktimës, por sipas informacioneve vetuar e viktimës është goditur nga Sherif Ramuka e jo nga djalki i tij. Po ashtu, dyshohet se të dyshuarit, Endrit, Sherif dhe Shemsedin Ramuka kanë nxjerrë armë nga vetura e tyre, por nuk i kanë përdorur ato. Por ngjarja nuk ka përfunduar aty. Pas shoqërimit në Polici, Endrit Ramuka ka arritur të largohet nga Stacioni Policor, derisa ndodhej në ndalim. Rreth gjysmë ore më vonë, ai është kthyer vullnetarisht. Për largimin e tij nga stacioni policor është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili ka kërkuar që zyrtarët policorë që ndodheshin në detyrë të përpilojnë raporte me shkrim lidhur me rrethanat në të cilat i dyshuari arriti të largohej.
Ndërkohë, sipas informacioneve, edhe i dëmtuari F.Z. është intervistuar nga IPK-ja lidhur me rastin. Mbetet të vërtetohet në vijim nëse armët e përmendura janë evidentuar nga Policia në Han të Elezit. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Endrit Ramuka është ndaluar për 48 orë, ndërsa Shemsedin Ramuka është liruar në procedurë të rregullt. I dyshuari i tretë, Sherif Ramuka, i cili sipas informacioneve të rastit dyshohet të jetë një nga personat kryesorë në këtë incident, ndodhet ende në arrati. Rasti po hetohet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Arratisje e personit të privuar nga liria”.



