Rama bën jehonë në Kiev me deklaratën për mbështetje ndaj Ukrainës, pavarësisht qëndrimit të Zelenskyt për Kosovën

13 gusht 2026 | 16:46

Kryeministri shqiptar Edi Rama më 13 gusht bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, pavarësisht kritikave në rajon ndaj Kievit për refuzimin e vazhdueshëm për ta njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ka raportuar “The Kyiv Independent”.

“Ukraina mund të jetë, dhe po, ajo e ka gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh për Evropën dhe për veten tonë gjithashtu”, shkroi Rama në “X”.

“Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe për një paqe të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen”.

Komentet e Ramës vijnë pas vizitës së parë zyrtare të presidentit Volodymyr Zelensky në Serbi, më 7 gusht, ku ai u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Vizita u konsiderua shumë simbolike, duke pasur parasysh lidhjet e kahershme diplomatike dhe ekonomike të Beogradit me Moskën.

Gjatë vizitës u shkaktua polemikë pasi Zelensky përsëriti se Ukraina nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur, qëndrim ky që nxiti kritika të ashpra nga Kosova dhe Shqipëria.

Kosova, popullsia e së cilës është kryesisht shqiptare etnike, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas gati një dekade administrimi ndërkombëtar që pasoi Luftën e Kosovës të viteve 1998–99, shkruan ky medium.

Pavarësia e saj është njohur nga shumica e vendeve perëndimore, por Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të territorit të saj sovran. Mosmarrëveshja mbetet një çështje kryesore në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.

Refuzimi i Kievit për ta njohur Kosovën bazohet në qëndrimin e tij diplomatik për integritetin territorial, por disa ligjvënës ukrainas kanë bërë publikisht thirrje që Zelensky të bëjë një përjashtim në rastin e Kosovës, shton ky medium.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Feronikeli ’74 ka transferuar portierin ukrainas Artem Odyntsov. 25-vjeçari është…