Andin Hoti: S’ka matematikë që zgjedhjet të mbahen në dhjetor, nëse shkojmë, shkojmë në nëntor
Ministri në detyrë i Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti tha se zgjedhjet e reja, nëse shkaktohen “nuk ka matematikë” të mbahen në fund të dhjetorit.
Hoti tha në Frontal në T7 se “nëse ne shkojmë në zgjedhje – e uroj të mos shkojmë në zgjedhje – shkojmë potencialisht në muajin nëntor”.
“Unë i kam parë edhe disa interpretime në media që dikush thotë se ‘tendenca juaj është që ta çoni vendin në zgjedhje në fund të dhjetorit’. Më fal, nuk ka matematikë të thjeshtë që mund t’i shtyjë zgjedhjet në fund të dhjetorit. Nuk ka matematikë”, tha ai.
“Në tetor i kalon mandati U.D. Presidentes. Nëse ne tash shkojmë në zgjedhje ose prej 5 shtatorit shkojmë në zgjedhje, janë 45 ditë në pyetje. Edhe në tetor nëse shkojmë në zgjedhje janë 45 ditë në pyetje, që i bie diku gjysma e nëntorit, por jo fundi i dhjetorit”, tha Hoti.
Ai tha se “fundi i dhjetorit është diku 130 ditë prej sot”.



