Kosova mposhtet thellë në ndeshjen e parë të Lojërave Mesdhetare

20 gusht 2026 | 14:27

Volejbollistët e Kosovës janë paraqitur në ndeshjen e parë të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Hapja zyrtare e Lojërave Mesdhetare bëhet të premten mbrëma, por garat e volejbollit kanë nisur të enjten. Dhe Kosova e luajti ndeshjen e parë në ngjarjen shumësportëshe.

Volejbollistët e Kosovës u përballën me Greqinë, të enjten në mesditë, ndërsa u mposhtën thellë, 3:0 në sete.

Seti i parë përfundoi 25:13 për Greqinë. 13 pikë volejbollistët e Kosovës i mblodhën edhe në setin e dytë. Ndërkohë seti i tretë përfundoi me rezultat 25:15 në të mirë të Greqisë.

Kosovën në Lojëra Mesdhetare e përfaqësojnë plot 163 sportistë. Për herë të parë Kosova garon edhe në sporte ekipore, përkatësisht në volejboll, futboll, hendboll dhe basketboll 3×3.

Kosova për herë të parë paraqitet në Lojëra Mesdhetare, ndërsa KOK-u vendosi për numër më të madh sportistësh për shkak se edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare mbahet në Prishtinë në vitin 2030.

Në Taranto të Italisë priten medalje, sidomos në xhudo. Medalje shpresohet të fitohen edhe në disa sporte individuale.

Me gjithë humbjen e rëndë, Federata e Volejbollit e Kosovës ka shkruar për moment historik.

“Pavarësisht rezultatit, kjo ndeshje shënon një moment historik për volejbollin kosovar, pasi përfaqësuesja e meshkujve debutoi për herë të parë në Lojërat Mesdhetare”, ka shkruar FVK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqëria Autotransport Jetoni Group SH.P.K. njofton se shpall të pavlefshme…