Kërkohet paraburgim për burrin që dyshohet se vrau gruan në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar që ndaj B.D., i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, gjykata të shqiptojë masën e paraburgimit.
B.D., 81-vjeç, gjendet në ndalim prej 48 orësh, pasi më 26 gusht, pas mesnatës dyshohet se e vrau bashkëshorten e tij, L.D., në shtëpinë e tyre në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren dha detaje të tjera për ngjarjen, të cilësuar si vrasje e rëndë, duke theksuar se dorasi i dyshuar, pas ngjarjes, “ka tentuar të fshijë gjurmët e ngjarjes, dhe më pas ka njoftuar familjarët për rasti”.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, më datë 26.08.2026, rreth orës 00:05, në Prizren, në shtëpinë e tij familjare, i dyshuari, B.D., pas një fjalosjeje me bashkëshorten e tij, viktimën me inicialet L.D., e ka sulmuar fizikisht atë, dhe e ka goditur dhe përplasur disa herë kokën e viktimës në tokë, me ç’rast ajo ka pësuar lëndime të shumta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Si pasojë e lëndimeve të pësuara, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, u tha në njoftim të Prokurorisë.
Policia në Prizren një ditë më parë tha se, sipas të dhënave të saj, çifti nuk kishte pasur raste të mëhershme të dhunës së raportuar “dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre”.
Brenda kësaj jave, në Kosovë janë vrarë dy gra dhe dorasit e dyshuar janë bashkëshortët e tyre.
Më 24 gusht, një grua shtatzënë në Malishevë u vra dhe dorasi i dyshuar është bashkëshorti i saj, i cili është në gjendje kritike, pasi edhe ai ka pësuar plagë nga armët e zjarrit.
Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë 63 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Nga Rrjeti i Grave të Kosovës kanë kërkuar që shteti të parandalojë dhunën ndaj grave, e jo të reagojë pas tragjedive.
Institucionet, ndërkaq, janë zotuar për zero tolerancë për rastet e dhunës ndaj grave.
Më 2020, Kosova e ka miratuar Konventën e Stambollit të hartuar nga Këshilli i Evropës, duke e bërë pjesë të Kushtetutës së vendit. Ky instrument obligues detyron shtetet që ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.
Në bazë të konventës, parashihet që shteti të mbrojë viktimat duke u ofruar strehimore, të ndjekë penalisht dhunën ndaj grave, të gjitha institucionet shtetërore të bashkëpunojnë dhe të ketë mekanizma që monitorojnë nëse konventa zbatohet.



