Hyseni: Patriarkati po i shndërron burrat në kriminelë dhe po vret gra në Kosovë
Me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar të premten në Prishtinë kundër vrasjeve dhe dhunës ndaj grave.
Qendresa Hyseni, në emër të organizatës, kritikoi ashpër patriarkatin dhe institucionet e Kosovës, duke thënë se gratë po jetojnë në një gjendje të vazhdueshme pasigurie dhe se dhuna ndaj tyre nuk duhet të trajtohet si raste të izoluara familjare.
Ajo i ka cilësuar dy vrasjet e grave të ndodhura gjatë kësaj jave si episode të femicidit, duke argumentuar se ato lidhen me një sistem patriarkal që, sipas saj, prodhon dhe toleron dhunën ndaj grave.
Hyseni ka thënë se dhuna shfaqet në forma të ndryshme, përfshirë dhunën ekonomike, psikologjike, seksuale dhe fizike, ndërsa theksoi se edhe rastet e dhunës seksuale ndaj burrave burojnë, sipas saj, nga e njëjta logjikë e pushtetit patriarkal.
Ajo ka kritikuar institucionet për mosmarrjen, sipas saj, të masave të mjaftueshme për mbrojtjen e grave dhe kërkoi që siguria dhe jeta e tyre të trajtohen si çështje me urgjencë kombëtare.
“Jemi çu me e denoncu këtë sistem i cili dhunon e vret, e i cili na kërcënon prej shpisë e deri në dyert e shtetit”, ka thënë Hyseni.
Sipas saj, protestueset kërkojnë llogaridhënie nga shteti dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës, duke theksuar se gratë duhet të jenë të sigurta dhe të lira në Kosovë.



