Muharremi paralajmëron: Kurti mund të ketë krijuar “kurth” për LDK-në me propozimin për president
Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar zhvillimet rreth propozimit për president, duke hedhur dyshime se kryeministri në detyrë, Albin Kurti mund të ketë krijuar një “kurth” politik për LDK-në.
Sipas Muharremit, kandidati i propozuar mund të ketë vështirësi të sigurojë konsensusin brenda LDK-së, ndërsa në rast të dështimit të marrëveshjes, përgjegjësia mund të bjerë mbi këtë parti.
“Kur në fund të dështojë marrëveshja, narrativa veç është gati: ne e propozuam kandidatin, por LDK-ja nuk i siguroi votat”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka ngritur gjithashtu mundësinë që situata të shërbejë si terren për zgjedhje të reja dhe të ndikojë edhe në raportet politike rreth Vjosa Osmanit.
Postimi i plotë:
Me gjasë, Albini e ka kriju një kurth të ri për LDK-në sa i përket propozimit për president.
Dihet që propozimi është një protagonist që e ka rrëzu qeverinë e Avdullah Hotit. Pastaj, gjithashtu, ka qenë pjesë e kabinetit të Vjosa Osmanit. Pra, ky është një emër që shumë vështirë krijon konsensus brenda LDK-së.
E, nga pozita e Kurtit, pse mos me përça dhe nda edhe më shumë LDK-në, kur ai e ka në plan me shku në zgjedhje? Pse ka pritur aq gjatë, kemi humbur dy muaj deri tani, nëse ai nuk ka plan me shku në zgjedhje përsëri?
Tash keni me i pa deputetët e LVV-së duke e potencu që “duhet siguri për të gjitha votat e LDK-së”, që në fund me ekspozu faktin që nuk ka siguri dhe vota.
Këtu përgatitet terreni me fajsu LDK-në. Kur në fund të dështojë marrëveshja, narrativa veç është gati “ne e propozuam kandidatin, por LDK-ja nuk i siguroi votat”.
Kjo mundet me qenë një lojë e radhës, për shkak se Kurti moti e ka bë mendjen me shku në zgjedhje tjera. Sado i bukur dhe i besueshëm që duket ky tregim me kandidatin në fjalë, vështirë është i realizueshëm.
Në fund, viktimë është LDK-ja, por gjithashtu mundet me qenë edhe një goditje e fundit për Osmanin. Kurti, për nga karakteri i tij, nuk ua fal shumë ish-kolegëve dhe kundërkandidatëve kur është fjala te mospajtimet dhe jolojaliteti.



