Përmbytjet në Nepal, identifikimi i viktimave vështirësohet, shumë prej tyre janë shpërfytyruar
Autoritetet në Nepal kanë nisur varrimet masive të qindra viktimave të paidentifikuara, ndërsa përpjekjet për identifikimin e trupave po bëhen gjithnjë e më të vështira për shkak të gjendjes së rënduar të tyre.
Trupat kanë nisur të dekompozohen dhe, në shumë raste, dëmtimet janë aq të mëdha sa identifikimi përmes tipareve fizike është bërë i pamundur. “Shumë prej tyre nuk kanë fytyra të dukshme. Në disa raste, kanë mbetur vetëm duart ose këmbët, ndërsa në raste të tjera janë gjetur vetëm pjesë të trupit”, tha oficeri i policisë Anil Thapa për Reuters.
Sipas tij, në shumë prej rasteve mungon një pjesë e konsiderueshme e kokës, duke e bërë edhe më të vështirë përcaktimin e identitetit të viktimave.
Pavarësisht pamundësisë për të identifikuar shumë prej viktimave, autoritetet po përpiqen të ruajnë sa më shumë të dhëna që mund të ndihmojnë familjet në të ardhmen. Para varrimit, trupat po fotografohen, po merren mostra ADN-je dhe po regjistrohen të gjitha detajet e mundshme identifikuese.
Autoritetet shpresojnë që këto të dhëna t’u mundësojnë familjeve të identifikojnë të afërmit e tyre edhe pas varrimit.
Pas varrimit të më shumë se 100 trupave të paidentifikuar një ditë më parë, autoritetet kanë nisur hapjen e varreve të tjera për qindra viktima. Procesi vjen në një kohë kur numri i trupave të paidentifikuar vazhdon të rritet dhe kushtet e tyre po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punën e ekipeve të mjekësisë ligjore dhe policisë.
Autoritetet nepaleze po përpiqen të dokumentojnë çdo trup përpara varrimit, në mënyrë që identifikimi të mund të kryhet edhe në një moment të mëvonshëm, nëse familjarët paraqesin të dhëna ose mostra që mund të përputhen me ADN-në e viktimave, raporton Top Channel.



