Rama: VV po bllokon ndërtimin e Kompleksit “Adem Jashari” dhe nënkalimit “Agim Ramadani”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po bllokon projektet infrastrukturore në kryeqytet, përfshirë ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” dhe nënkalimit “Agim Ramadani”.
Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka thënë se projekti i nënkalimit synon largimin e trafikut nga sipërfaqja dhe krijimin e një hapësire të re publike pranë Xhamisë, Muzeut Kombëtar dhe zonës së Qytetit të Vjetër.
Sipas Ramës, të dy projektet janë të gatshme për zbatim dhe procedurat e nevojshme tashmë janë përfunduar.
Ai ka thënë se për të dy projektet “procedurat janë kryer” dhe se ka mbetur vetëm nisja e punimeve.
“Të dy projektet janë gati. Procedurat janë kryer. Mbetet vetëm të nisë ndërtimi. Vetëvendosje prapë bllokon. Jashtëligjshëm!”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka ngritur edhe akuza të tjera politike, duke kërkuar përgjigje se kujt po i shërben, sipas tij, bllokimi i projekteve zhvillimore në kryeqytet.
“Kujt po i konvenon një Kosovë pa zhvillim? Kush po e zbaton planin me e bo Kosovën me u duk si ‘Kandahar’? Me urdhër të kujt po bllokohet Kryeqyteti?”, ka shkruar ai.
Rama ka kërkuar përgjigje nga institucionet dhe subjektet që, sipas tij, po pengojnë realizimin e këtyre projekteve.
“Mbi 300,000 qytetarëve të Kryeqytetit i keni borxh përgjigje se cilën agjendë po e zbatoni!”, ka përfunduar Rama.



