Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë nga 1 shtatori
Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prishtinës do të hyjnë në grevë nga 1 shtatori, për shkak të mosrealizimit të pagave të mbetura për një pjesë të muajit korrik.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi. Ai ka thënë se, pavarësisht kërkesave dhe njoftimeve të vazhdueshme, deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje për pagesat e punëtorëve.
Sipas sindikatës, greva do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje dhe realizimin e kërkesave të punëtorëve.
FSPTSPK ka bërë me dije se mbetet e hapur për dialog me institucionet përkatëse, me synimin që situata të zgjidhet sa më shpejt dhe greva të përfundojë.
Greva pritet të nisë pikërisht në ditën kur fillon viti i ri shkollor, duke e bërë situatën një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e shkollave në kryeqytet.




