IKD: Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale mbeten peng i LPPA-së
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në një konferencë për medie, të enjten, publikoi raportin “Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale, peng i LPPA-së”, përmes të cilit trajtohet problemi i mbylljes së mbledhjeve të organeve kolegjiale në institucionet publike.
Raporti trajton nenin 39.2 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), i cili përcakton se mbledhjet e organeve kolegjiale janë të mbyllura, përveç kur legjislacioni në fuqi parasheh ndryshe.
Sipas IKD-së, përmes kësaj dispozite, mbyllja është vendosur si rregull, ndërsa hapja për publikun si përjashtim.
Konferencën e hapi Shqiponjë Gashi, Hulumtuese në IKD, e cila theksoi se llogaridhënia nuk lidhet vetëm me publikimin e vendimit përfundimtar apo të procesverbalit, por edhe me mundësinë për të kuptuar se si është zhvilluar diskutimi dhe si është marrë vendimi.
Ndërkaq, gjetjet e raportit u prezantuan nga Gzim Shala, Hulumtues i Lartë në IKD.
Ai tha se, në praktikë, nëse një bord apo komision trajton një çështje me interes të lartë publik, por ligji i veçantë nuk e përcakton shprehimisht se mbledhja është publike, mediet, shoqëria civile dhe qytetarët nuk mund ta monitorojnë atë.
Sipas Shalës, problemi bëhet edhe më i theksuar për faktin se edhe kur vetë institucioni dëshiron ta hapë mbledhjen, vetëm vullneti për transparencë nuk mjafton. Për sa kohë ligji nuk e lejon hapjen, institucioni rrezikon ta shkelë vetë ligjin.
Në raport theksohet se kjo situatë krijon paradoks ligjor. Në njërën anë, Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative kërkon administratë të hapur dhe transparente, ndërsa në anën tjetër, për mbledhjet e organeve kolegjiale, e vendos mbylljen si parim.
Prandaj, raporti gjen se kjo zgjidhje nuk është në harmoni me parimin e administratës së hapur dhe e dobëson orientimin kushtetues drejt transparencës.
Sipas IKD-së, se qasja në vendim, procesverbal apo dokumente pas përfundimit të mbledhjes nuk e zëvendëson monitorimin e drejtpërdrejtë të procesit.
Në raport theksohet se nga procesverbali mund të kuptohet se çfarë është vendosur, por jo domosdoshmërisht se kush ka kundërshtuar, cilat alternativa janë diskutuar, si është trajtuar ndonjë konflikt potencial interesi, kush e ka propozuar një zgjidhje dhe si është krijuar shumica për një vendim.
IKD sqaron se raporti nuk pretendon se çdo mbledhje duhet të jetë e hapur dhe se çdo informacion duhet të bëhet publik. Ka raste kur mbyllja është e arsyeshme dhe e nevojshme, për shembull kur trajtohen të dhëna personale, informata të klasifikuara, hetime, çështje të sigurisë, sekrete afariste apo interesa të tjera që ligji duhet t’i mbrojë.
Megjithatë, sipas IKD-së, logjika aktuale duhet të ndryshojë. Hapja duhet të jetë rregull, ndërsa mbyllja duhet të jetë përjashtim.
Për këtë arsye, IKD rekomandon ndryshimin e LPPA-së në dy drejtime: së pari, mbledhjet e organeve kolegjiale duhet të jenë të hapura për publikun; së dyti, ligji duhet t’i përcaktojë rastet kur një mbledhje ose pjesë e saj mund të mbyllet, pas vlerësimit të dëmit dhe interesit publik dhe me vendim të arsyetuar.
Mesazhi kryesor i raportit është se qytetarët nuk duhet ta kenë vetëm të drejtën ta shohin vendimin pasi gjithçka ka përfunduar. Ata duhet, sa herë që nuk ekziston një arsye e ligjshme për mbyllje, të kenë mundësi të shohin edhe se si merret vendimi, kush e merr atë dhe mbi çfarë argumentesh merret.



