Trump paralajmëron rënie të çmimit të naftës pas fitores ndaj Iranit

08 shtator 2026 | 20:47

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se çmimet e naftës dhe të benzinës në Shtetet e Bashkuara do të regjistrojnë një ulje të ndjeshme menjëherë pas përfundimit të konfliktit me Iranin.

Në një mesazh të publikuar në platformën Truth Social, Trump u shpreh se tregjet energjetike do të stabilizohen me shpejtësi pas fitores së SHBA-së në këtë përplasje. Ai parashikoi që çmimi i benzinës fillimisht të bjerë në rreth 3 dollarë për gallon, për të shkuar më pas edhe nën nivelin e 2 dollarëve, duke e lidhur këtë zhvillim me eliminimin e pasigurisë gjeopolitike.

Pavarësisht deklaratave të kreut të Shtëpisë së Bardhë, tregjet ndërkombëtare të naftës vijojnë të reflektojnë nivele të larta çmimesh për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme. Sipas të dhënave financiare, nafta e papërpunuar e llojit Brent tregtohet rreth 97 dollarë për fuçi, ndërsa WTI qëndron mbi 92 dollarë për fuçi. Këto kuota mbahen të larta nga shqetësimet mbi furnizimet globale dhe kufizimet e mundshme në trafikun detar përmes ngushticës strategjike të Hormuzit.

Në të njëjtën deklaratë, Trump riafirmoi se parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore mbetet objektivi kryesor i strategjisë amerikane. Analistët vlerësojnë se çdo lëvizje e mëtejshme ushtarake apo diplomatike në Gjirin Persik do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e bursave të energjisë në nivel global.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump postoi në rrjetet sociale një foto…