Të mërkurën verdikti për Thaçin dhe drejtuesit e UÇK-së, ‘Reuters’: Mund të ketë pasoja të mëdha politike
Dhomat e Specializuara në Hagë do ta shpallin të mërkurën vendimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Prokuroria ka kërkuar dënime nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre, ndërsa të katër i kanë mohuar akuzat. Avokatët e tyre kanë kërkuar shpalljen e plotë të pafajësisë, shkruan “Reuters”.
Shpallja e aktgjykimit është planifikuar të nisë në orën 10:00 në Hagë.
Në disa qytete të Kosovës janë vendosur ekrane dhe orë që numërojnë kohën deri në shpalljen e vendimit, ndërsa të shtunën mijëra qytetarë morën pjesë në një tubim në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
“Reuters” vlerëson se procesi ka treguar se sa të ndjeshme mbeten kujtimet dhe ndarjet e krijuara nga luftërat ballkanike të viteve ’90.
Si shembull përmendet edhe ceremonia e madhe mortore në Beograd për Ratko Mlladiqin, i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas analistëve të cituar nga “Reuters”, rezultati i procesit mund të ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara. Vendimi mund të ndikojë gjithashtu në raportet me Serbinë, e cila vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Thaçi dhe bashkë të akuzuarit ngarkohen me përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje të detyruar të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës gjatë dhe pas luftës së viteve 1998–1999.
Prokuroria pretendon se mbi 100 kundërshtarë politikë dhe persona të konsideruar bashkëpunëtorë të forcave serbe u vranë gjatë një përpjekjeje për marrjen e kontrollit politik nga UÇK-ja.
Mbrojtja e Thaçit i ka quajtur akuzat të pabazuara dhe përpjekje për rishkrimin e historisë.
Sipas mbrojtjes, nuk ekzistojnë prova që e lidhin drejtpërdrejt Thaçin me krimet e pretenduara ose që dëshmojnë se ai kontrollonte komandantët e tjerë të UÇK-së.
Dhomat e Specializuara veprojnë sipas ligjeve të Kosovës, por përbëhen nga gjyqtarë dhe personel ndërkombëtar dhe e kanë selinë në Hagë.
Gjykata u krijua nga Kosova më 2015, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, për t’i trajtuar pretendimet për krime të kryera nga ish-pjesëtarë të UÇK-së.
“Reuters” thekson se institucioni është thellësisht jopopullor në Kosovë, ndërsa dëshmitë e zhvilluara pa praninë e publikut kanë shtuar mosbesimin ndaj tij.
Analisti Agon Maliqi e ka cilësuar vendimin si një ngjarje me pasoja të mëdha politike.
Sipas tij, lirimi i Thaçit mund ta ndryshojë ekuilibrin politik në Kosovë dhe ta forcojë orientimin bashkëpunues të vendit ndaj Perëndimit.
Një dënim, ndërkaq, mund ta thellojë largimin politik të Kosovës nga aleatët perëndimorë dhe t’i tensionojë marrëdhëniet ndëretnike.
“Verdikti është një ngjarje tektonike”, ka deklaruar Maliqi për “Reuters”, duke paralajmëruar se rezultati mund të ketë ndikim edhe në marrëdhëniet ndëretnike dhe në raportet afatgjata me Serbinë.
Edhe nëse lirohet nga akuzat në këtë proces, Thaçi mund të mos lirohet menjëherë.
Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim ndaj tij në një proces tjetër për pengim të pretenduar të drejtësisë. Thaçi i mohon edhe këto akuza.



