Ndërron jetë veprimtari Xhevat Ukshini, Reçica: Ishte një njeri që dëshmoi besnikërinë ndaj idealeve
Ka ndërruar jetë veprimtari, ish-i burgosuri politik, intelektuali dhe humanisti, Dr. Xhevat Ukshini.
Lajmin e ka bërë me dije deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ilmi Reçica, i cili ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të bashkëveprimtarit të tij.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëveprimtarit, ish-të burgosurit politik, intelektualit dhe humanistit, Dr. Xhevat Ukshini”, ka shkruar Reçica.
Ai ka treguar se Ukshini ishte një nga bashkëveprimtarët e tij të hershëm në organizimin ilegal dhe se, edhe gjatë viteve të mërgimit, nuk e kishte shkëputur lidhjen me Kosovën.
“Xhevati ishte një nga shokët e mi të hershëm të organizimit ilegal, një njeri që qysh në ditët më të vështira dëshmoi përkushtim, guxim dhe dashuri të pakushtëzuar për vendin. Për vite me radhë, edhe pse në mërgim, ai nuk e shkëputi asnjëherë lidhjen me Kosovën”, ka shkruar Reçica në “Facebook”.
Sipas tij, dashuria për vendlindjen dhe dëshira për t’i shërbyer popullit e kthyen Ukshinin në Kosovë, ku ai vazhdoi të punojë dhe të kontribuojë për shoqërinë.
Reçica ka thënë se Dr. Xhevat Ukshini do të kujtohet si intelektual, humanist dhe atdhetar, por mbi të gjitha si një njeri që e dëshmoi me vepra besnikërinë ndaj idealeve dhe vendit të tij.
“Dr. Xhevat Ukshini do të kujtohet si një intelektual i përkushtuar, humanist dhe atdhetar, por mbi të gjitha si një njeri që e dëshmoi me vepra besnikërinë ndaj idealeve dhe vendit të tij. Ikja e tij është një humbje e madhe për familjen, miqtë, bashkëveprimtarët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e ta vlerësojnë”, ka shkruar ai.
Në fund, Reçica u ka shprehur ngushëllime familjes, të afërmve, miqve dhe bashkëveprimtarëve të Dr. Xhevat Ukshinit.
“U prehtë në paqe! I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, ka shkruar Reçica.



